Një episod i pazakontë ka tronditur futbollin aziatik, pasi arbitri sirian Hanna Hattab u përfshi në një polemikë të madhe gjatë ndeshjes mes Al Jazira-s së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Gol Gohar-it të Iranit, e vlefshme për AFC Champions League Two.
Gjyqtari u bë objekt kritikash për sjelljen e tij gjatë pjesës së parë, duke krijuar dyshime se mund të kishte qenë nën efektin e alkoolit. Madje, drejtues të të dyja skuadrave i ngritën këto pretendime edhe pas përfundimit të takimit, gjatë konferencave për shtyp.
Një nga episodet më të çuditshme ndodhi kur Hattab ndëshkoi me karton të verdhë portierin për një faull të kryer larg zonës së tij, duke shkaktuar konfuzion te futbollistët dhe duke ngritur pikëpyetje mbi gjendjen e arbitrit. Për më tepër, disa persona pranë ngjarjes pretenduan se e kishin parë atë duke konsumuar alkool përpara ndeshjes.
Megjithatë, deri në atë moment nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar për këto akuza. Vetë Hattab ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke i mohuar kategorikisht dhe duke paralajmëruar masa ligjore ndaj të gjithë personave që kanë dëmtuar imazhin dhe reputacionin e tij.
“Konfirmoj të drejtën time të plotë për të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe gjyqësore ndaj kujtdo që ka bërë deklarata apo ka kontribuar në fyerjen dhe shpifjen ndaj meje, pavarësisht pozicionit apo statusit të tij, qoftë individ, institucion apo organizatë sportive”, shkroi arbitri.
Hattab bëri gjithashtu të ditur se pret një qëndrim zyrtar nga Federata Siriane e Futbollit përpara se të publikojë versionin e plotë të ngjarjes. Ai theksoi se familja dhe jeta e tij private nuk duhet të përdoren si objekt sulmesh apo spekulimesh.
Ndërkohë, nga Arabia Saudite kanë ardhur raportime se sjellja e pazakontë e arbitrit mund të jetë shkaktuar nga një rënie e nivelit të sheqerit në gjak, e cila i ka ndikuar përqendrimin gjatë takimit.
Sipas informacioneve të publikuara, një kontroll mjekësor pas ndeshjes ka përjashtuar gjithashtu konsumimin e alkoolit nga ana e gjyqtarit.
Në këtë situatë ka ndërhyrë edhe Komisioni Qendror i Arbitrimit i Federatës Siriane të Futbollit, i cili ka shprehur mbështetjen e plotë për Hattab, duke konfirmuar se ka verifikuar gjendjen e tij shëndetësore.
Federata ka bërë të ditur se i është drejtuar Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC), duke kërkuar raportin mjekësor të arbitrit, vlerësimin e vëzhguesit të ndeshjes dhe raportin e vëzhguesit të arbitrimit.