Nga Superliga greke e deri në netët Champions. Stavro Pilo është transformuar në lokomotivë të pandalshme për AEK-un e Athinës, duke merituar plotësisht rinovimin e kontratës e cila u konfirmua muaj më parë nga presidenti i klubit Marios Iliopoulos.
Mediumi grek, “Sport Time” nuk ia ndan lëvdatat mbrojtësit shqiptar, i cili firmosi kontratën e re deri në qershor të 2030-tës.
Lëvizje e duhur, konsiderohet gjerësisht në Greqi ky vendim i presidentit, të cilit i është shpaguar besimi nga Pilo me lojën e ofruar në fushë. Kryen me sukses detyrat që i caktohen, shpesh herë aktiv mes linjave dhe jo rrallë kërcënues në repartin ofensiv. Madje, duke shënuar dhe gola me peshë. Tundi rrjetën ndaj Manchester Cityt, ndërsa nuk kurseu as portën e 15 herë kampionëve të Europës, Real Madridit.
E radhës ishte ndaj Comos, ku së bashku me portierin Thomas Strakosha ishin të dy titullarë.
Edhe pse skuadra greke u mposht minimalisht 1-0 në transfertë, Pilo bëri mirë në pjesën më të madhe të lojës.
Media greke e pranon se në tregun e sotëm, lojtarë që kanë karakteristika të Pilos janë vështirë për t'u gjetur në Europë, duke shkruar: Lojtarë të mirë që luajnë në të majtën në Europë janë të vështirë për t’u gjetur, aq më pak ata që përmbushin kushtet për të luajtur në Ligën e Kampionëve dhe ofrojnë aftësi sulmuese.
Në Greqi janë të sigurtë se Stavro Pilo kushton shumë dhe nuk do të lëshojnë pe për kartonin e tij.
Edhe vetë shifrat nuk zhgënjenjë, duke e klasifikuar të katërtin në rangun e më të vlefshmëve në Superligë, rreth 26.1 milionë euro vlera e tij. Nuk ka dyshime që ekipet e mëdha do të trokasin në derë për të.
Qoftë në muajin janar, ose më e largëta në verë. Një gjë është e sigurt, Stavro Pilo shumë shpejt do të gjejë veten në statusin e mbrojtësit më të spikatur të Europës, e jo vetëm.
”Dhe mesazhi është i qartë:“Nëse Pilo vazhdon me këto paraqitje, do të jetë e vështirë që ai të vazhdojë pa rënë në sy të skuadrave të mëdha të huaja”.