Barcelona ka vendosur të mos paraqesë ankesë ndaj pezullimit me dy ndeshje të shqiptuar nga Komiteti Disiplinor për Fermin Lopezin, pas kartonit të kuq që mori në përballjen kundër Villarrealit.
Ky vendim vjen në kundërshtim me qëndrimin e presidentit të klubit, Joan Laporta, i cili kishte këmbëngulur se Barcelona do ta mbronte futbollistin dhe do të angazhohej që ai të merrte dënimin sa më të lehtë të mundshëm.
Sipas mediumit “Sport”, departamenti juridik i Barcelonës kishte mundësinë që çështjen ta dërgonte në Komitetin e Apelit, por ka vendosur të mos e bëjë këtë.
Kështu, katalanasit kanë pranuar vendimin disiplinor dhe Fermin Lopez do të mungojë në ndeshjet kundër Deportivo La Corunas dhe Atletico Madridit.
Barcelona kishte dorëzuar më herët një mbrojtje me shkrim, duke kërkuar anulimin e kartonit të kuq ose, së paku, uljen e pezullimit në vetëm një ndeshje.
Megjithatë, komiteti i sanksioneve i Federatës Spanjolle të Futbollit i kishte refuzuar të dyja kërkesat.
Mungesa e Fermin Lopezit përbën një goditje për trajnerin Hansi Flick, i cili në këto dy ndeshje synon ta mbajë Barcelonën në krye të tabelës së La Ligës.
Këtë sezon, Fermin Lopez është konsoliduar si lojtari i tretë më produktiv i Barcelonës në repartin ofensiv, me nëntë gola dhe shtatë asistime në 17 paraqitje.
Para tij janë vetëm Raphinha, me 19 gola dhe tri asistime, si dhe Lamine Yamal, me 13 gola dhe 13 asistime.
Pa të, skuadra katalanase humbet një futbollist të rëndësishëm në presionin e lartë, një element kyç i filozofisë së lojës së trajnerit Hansi Flick.