Tah për Joshua Kimmich: Ajo që bëri ishte e gabuar

Futboll

Tah për Joshua Kimmich: Ajo që bëri ishte e gabuar

Nga: BOTA SOT Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 18:26
Joshua Kimmich

Joshua Kimmich është përjashtuar me karton të kuq direkt në minutën e 44-t të ndeshjes mes Hamburgut dhe Bayern Munihut, pasi kreu një veprim të dhunshëm ndaj sulmuesit kundërshtar, Alexander Rössing-Lelesiit.

Ngjarja ndodhi jashtë aksionit, në gjysmëfushën e Bayernit. Futbollisti 19-vjeçar i Hamburgut u përplas me Kimmichun, ndërsa ky i fundit reagoi duke e kapur norvegjezin për flokësh dhe duke e tërhequr me forcë drejt tokës, shkruan “Goal”. 

Arbitri Bastian Dankert reagoi menjëherë, duke i treguar mesfushorit gjerman kartonin e kuq direkt për sjellje të dhunshme.

Pas përfundimit të ndeshjes, mbrojtësi i Bayernit, Jonathan Tah, u pyet për veprimin e bashkëlojtarit të tij.

“Nuk ka nevojë të vazhdojmë të merremi me këtë çështje. Ajo që bëri ishte e gabuar. Ai e pranon këtë dhe të gjithë e dimë. Tani vazhdojmë përpara”, deklaroi Tah për televizionin “Sky”.

Ndërkohë, trajneri Vincent Kompany refuzoi të komentonte incidentin publikisht, duke theksuar se gjithçka do të diskutohet brenda klubit.

“Për këtë situatë do të diskutojmë brenda klubit. Nuk dua të jap asgjë për publikun. Kaq. Duhet të qëndrojmë të bashkuar”, u shpreh Kompany.

Kjo ishte hera e tretë në karrierën e tij profesionale që Kimmich ndëshkohet me karton të kuq. Në sezonin 2022/23, ai ishte përjashtuar pas dy kartonëve të verdhë, ndërsa në sezonin pasues kishte marrë karton të kuq direkt.

Si pasojë e përjashtimit, mesfushori 31-vjeçar pritet të pezullohet për ndeshjet e ardhshme.

Ndërkohë, Bayerni u përball edhe me probleme të tjera gjatë ndeshjes në Hamburg, pasi Lennart Karl dhe Konrad Laimer u detyruan të largoheshin nga fusha për shkak të shqetësimeve fizike.

Takimi përfundoi me rezultat 0:0, ndërsa Bayerni luajti me një futbollist më pak që nga minuta e 44-t.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat