Frika më e madhe është konfirmuar, sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Desire Doue, ka pësuar një lëndim të rëndë.
PSG ka konfirmuar të dielën se futbollisti francez ka këputur ligamentin e kryqëzuar anterior (ACL) të gjurit të djathtë, gjatë ndeshjes kundër OGC Nice.
Doue do t'i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale para përfundimit të këtij muaji.
Sezoni për lojtarin francez ka shumë gjasa të ketë përfunduar para kohe. Ai pësoi lëndimin në minutën e 38-të, teksa po ndryshonte drejtimin e lëvizjes, pa pasur kontakt me ndonjë kundërshtar.
Futbollisti u rrëzua në fushë duke bërtitur nga dhimbjet dhe me lot në sy. 21-vjeçari u largua më pas me barelë, ndërsa u duartrokit nga të gjithë futbollistët, tifozët dhe madje edhe gjyqtari i ndeshjes.
“Jemi pranë teje, Desire”, ishte mesazhi që klubi parisien publikoi në rrjetet sociale.
Anësori francez pritet të mungojë në vazhdim të sezonit, duke humbur kështu garat e rëndësishme ku PSG synon të luftojë për trofe.
Doue kishte luajtur një rol vendimtar në të dy triumfet e Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve, në vitet 2025 dhe 2026.
Ky është lajmi i dytë i keq për Paris Saint-Germainin sa u përket lëndimeve serioze gjatë këtij sezoni.
Rreth një muaj më parë, edhe Khvicha Kvaratskhelia kishte këputur ligamentin e kryqëzuar dhe, sikurse Doue, nuk pritet të rikthehet në fushë para pushimit veror.