Pellegrini: Penalltia ndaj Parrottit ishte e qartë

Futboll

Pellegrini: Penalltia ndaj Parrottit ishte e qartë

Nga: BOTA SOT Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 16:43
Manuel Pellegrini gjatë ndeshjes ndaj Rayo Vallecanos

Trajneri i Real Betisit, Manuel Pellegrini, ka komentuar humbjen e skuadrës së tij me rezultat 0:1 nga Rayo Vallecano, duke shprehur pakënaqësinë për paraqitjen e futbollistëve dhe rastet e humbura gjatë ndeshjes.

Trajneri kilian beson se skuadrës i mungoi kreativiteti dhe qetësia për të krijuar raste të rrezikshme dhe për të gjetur rrugën drejt golit.

“Na mungoi qartësia, edhe pse dinamika nuk mungoi. Mund të luanim edhe një ditë të tërë dhe përsëri nuk do të shënonim gol. Ishte një ndeshje me shumë pak kreativitet”, deklaroi Pellegrini.

Ai foli edhe për lodhjen e skuadrës nga angazhimi në Ligën e Kampionëve dhe kampionat.

“Gjithmonë kam thënë se është e vështirë të luash në të dyja garat. Merita e madhe është që kemi arritur të jemi konkurrues në të dyja. Duhet t'i rikuperojmë këto pikë në ndeshjet e mbetura si mysafirë. Këto pikë dhembin shumë, sepse i humbëm në shtëpi dhe është e vështirë t'i rikuperosh”, u shpreh trajneri kilian.

Për humbjen, ai shtoi se skuadra ka humbur tri pikë të rëndësishme në La Liga, duke theksuar se pikët e humbura në shtëpi kanë një peshë të veçantë.

Një nga momentet më të diskutuara të ndeshjes ishte rasti i minutës së 90+3, kur Parrott u shkel nga Lejeune brenda zonës së rreptësisë.

Pellegrini ishte i bindur se duhej të akordohej penallti, por vuri në dukje se futbollisti irlandez nuk u rrëzua në mënyrë demonstrative.

“Penalltia ishte e qartë, por nuk dua të përqendrohem vetëm te ajo situatë. Parrott nuk u rrëzua siç bëjnë ndonjëherë të tjerët. Kjo ndershmëri e tij në fushë bëri që penalltia të mos akordohej. Nuk dua të merrem vetëm me atë episod, sepse ne duhej t'i kërkonim hapësirat me më shumë qartësi”, përfundoi Pellegrini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat