Disfatë e rëndë për Schalken, Paderborni e mposht me rezultatin 8:1

Futboll

Disfatë e rëndë për Schalken, Paderborni e mposht me rezultatin 8:1

Nga: BOTA SOT Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 18:04
Mertcan Ayhan nuk arriti të sjellë ndryshimin e pritur te Schalke, edhe pas inkuadrimit të tij në lojë.

Schalke 04 ka pësuar një humbje të rëndë në udhëtim ndaj Paderbornit, duke u mposhtur me rezultatin 8:1.

Rezultati 3:0 në pjesën e parë ishte disi i thellë, por në fraksionin e dytë mysafirët u dorëzuan plotësisht, duke pësuar gola të njëpasnjëshëm nga kundërsulmet e vendasve.

Përballja mes Paderbornit dhe Schalkes vuri përballë dy skuadra me vështirësi në repartin ofensiv. Para ndeshjes, Paderborni kishte shënuar vetëm tetë gola, ndërsa Schalke pesë.

Skuadra mysafire pati mundësinë të kalonte në epërsi që në minutën e dytë, por Adamu nuk arriti të shfrytëzonte një rast të mirë, pasi portieri Noll reagoi me sukses.

Sipas mediumit gjerman “Kicker”, Paderborni kaloi në epërsi në minutën e 21-të. Pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Obermair, Scheller devijoi topin drejt shtyllës së dytë, ku ter Horst e dërgoi në rrjetë nga afërsia.

Schalke tentoi të reagonte, por në minutën e 39-të Marino dyfishoi epërsinë për vendasit, pas një pasimi të Tigges. Në minutën e katërt shtesë të pjesës së parë, Marino shënoi sërish, duke përfituar nga një kundërsulm i shpejtë dhe një asistim i Curda-s për rezultatin 3:0.

Paderborni shpërthen në pjesën e dytë

Në fillim të pjesës së dytë, Schalke pati një mundësi me Xhekon, por më pas mbrojtja e saj u shpërbë plotësisht.

Në minutën e 55-të, Tigges shënoi një gol të bukur me parabolë mbi portierin Karius, duke çuar rezultatin në 4:0.

Vetëm dy minuta më vonë, Marino përfitoi nga një tjetër kundërsulm dhe realizoi për 5:0, duke kompletuar het-trikun. Ai u bë lojtari i parë në historinë e Paderbornit në Bundesligë që realizon tri gola në një ndeshje.

Schalke arriti të shënonte golin e nderit në minutën e 59-të, kur Aouchiche realizoi pas asistimit të Karamanit.
Megjithatë, ky gol nuk ndryshoi rrjedhën e ndeshjes. Në minutën e 73-të, Zeitler shënoi për 6:1, pas pasimit të Vidovic.

Në minutën e 82-të, pas ndërhyrjes së rrezikshme të Ayhanit ndaj Michelit, gjyqtari akordoi penallti pas ndërhyrjes së VAR-it. Vidoviq ishte i saktë nga pika e bardhë për rezultatin 7:1.

Paderborni nuk u ndal as këtu. Zeitler nisi një tjetër aksion të rrezikshëm nga krahu i majtë, ndërsa pas disa tentativave radhazi, Gotze shënoi golin e tetë (90+6’) dhe vulosi rezultatin përfundimtar 8:1.

Pas javës së 11-të të Bundesligës, Paderborni renditet në vendin e nëntë me 13 pikë, ndërsa Schalke 04 pozicionohet në vendin e 16-të me vetëm shtatë pikë.

Statistikat e ndeshjes

Paderborni dominoi edhe në statistika, duke regjistruar 24 goditje drejt portës, kundrejt tetë të Schalkes.

Vendasit kishin 56 për qind të posedimit të topit, ndërsa mysafirët 44 për qind. Sipas treguesit xG, Paderborni krijoi raste me vlerë 5.31, ndërsa Schalke 1.23.

Kjo ishte një fitore historike për Paderbornin, i cili para kësaj ndeshjeje nuk kishte shënuar kurrë më shumë se tre gola në një takim të Bundesligës.

Në javën e ardhshme, Paderborni do të udhëtojë te Bayern Munihu, të premten në orën 20:30, ndërsa Schalke do të presë Borussia Dortmundin të dielën, në orën 15:30, në derbin e madh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat