Bayern Munihu nuk po arrin t’i shpëtojë problemeve me lëndimet. Kampioni rekord i Gjermanisë, i goditur rëndë nga mungesat e shumta, tashmë do të duhet të bëjë pa shërbimet e një tjetër futbollisti të rëndësishëm, Konrad Laimerit.
Futbollisti pësoi një dëmtim në tendinat e nyjës së këmbës së djathtë gjatë barazimit 0:0 të Bayernit në transfertën ndaj Hamburgut dhe do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Klubi bavarez njoftoi të dielën se Laimer do të jetë jashtë fushave “deri në një njoftim të mëtejshëm”.
Laimer u aktivizua në minutën e 52-të të ndeshjes, por u detyrua të largohej përsëri nga loja pak para përfundimit të takimit për shkak të lëndimit.
Me këtë zhvillim, trajneri Vincent Kompany tashmë do të jetë pa tetë futbollistë të rëndësishëm për shkak të lëndimeve.
Situatën e vështirë të Bayernit e rëndon edhe më shumë mungesa e Joshua Kimmichut, i cili u ndëshkua me karton të kuq në Hamburg për shkak të një veprimi të dhunshëm ndaj kundërshtarit.