Perez pas fitores ndaj Realit: E kemi merituar

Futboll

Perez pas fitores ndaj Realit: E kemi merituar

Nga: BOTA SOT Më: 29 nëntor 2026 Në ora: 13:32
Lojtarët e Alavesit festojnë fitoren

Angel Perez ka treguar se si e përjetuan futbollistët e Alavesit momentin vendimtar që përfshiu Jude Bellinghamin, gjatë fitores befasuese 2:1 ndaj Real Madridit, të shtunën në mbrëmje, në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

Gjyqtari Cesar Soto Grado fillimisht akordoi penallti në favor të Realit, por e anuloi vendimin pasi rishikoi pamjet në monitorin e VAR-it.

Polemikat me VAR-in dhe kartoni i kuq për Bellinghamin

Real Madridi pësoi një humbje të papritur në shtëpi ndaj Alavesit, në një ndeshje të karakterizuar nga një ndërhyrje vendimtare e VAR-it dhe përjashtimi i Bellinghamit në minutat e fundit.

Mesfushori anglez mendoi se kishte fituar një penallti për Real Madridin, por gjyqtari Cesar Soto Grado ndryshoi vendimin pasi rishikoi pamjet në monitorin pranë fushës.

Pakënaqësia e Bellinghamit pas anulimit të penalltisë ishte e madhe. Ai u përjashtua më pas me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Real Madridin me dhjetë lojtarë në përpjekjet për të shmangur humbjen.

Perez shpjegoi se futbollistët e Alavesit ishin të bindur se vendimi fillestar ishte i gabuar, pasi mund t'i shihnin menjëherë pamjet e përsëritura në ekranet e stadiumit.

Duke përshkruar tensionin e atij momenti, mbrojtësi i krahut shpjegoi edhe arsyen e protestave të tyre.

“Në fund, ne kemi një ekran ku mund t'i shohim menjëherë pamjet dhe kërkuam që ato të shfaqeshin, sepse duhej ta bënim këtë”, deklaroi ai për Movistar Plus, citon Sport.

Një natë historike për mysafirët

Perez ishte protagonisti kryesor i mbrëmjes në kryeqytetin spanjoll, duke realizuar një gol të bukur për ta dyfishuar epërsinë e Alavesit në pjesën e dytë.

Pas një pasimi të Mariano Diazit, mbrojtësi i krahut të djathtë tregoi qetësi të jashtëzakonshme, kaloi portierin Thibaut Courtois dhe dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur një fitore që i dha fund serisë prej dhjetë fitoresh radhazi të Real Madridit.

Ishte një moment emocionesh të jashtëzakonshme për futbollistin, i cili menjëherë pas përfundimit të ndeshjes mezi arrinte t'i gjente fjalët për të përshkruar atë që kishte përjetuar.

“Kjo është një nga ato net që, në dashtë Zoti, do t'ua tregoj fëmijëve të mi. Nuk po arrij as t'i nxjerr fjalët. Po dridhem. Kjo fitore ka një vlerë të pallogaritshme. E kemi merituar”, u shpreh autori i golit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat