Pas dëmtimit të Konrad Laimerit, Bayern Munihut i kanë mbetur gjithnjë e më pak alternativa. Situata aktuale mund ta detyrojë klubin të ndërhyjë në afatin kalimtar të janarit.
Nuk ka kaluar shumë kohë që në “Allianz Arena” dëgjohej vazhdimisht kënga e famshme e golave të Bayern Munihut, e shoqëruar me thirrjen Jabadabadu, e cila zakonisht u shkakton dhimbje koke kundërshtarëve në Bundesligë. Leipzigut iu desh ta dëgjonte gjashtë herë, ndërsa Union Berlinit madje shtatë herë.
Sipas mediumit gjerman “Kicker”, në atë periudhë, gjatë muajve shtator dhe tetor, festonin Harry Kane, Michael Olise, Ismael Saibari dhe Jamal Musiala. Ndërsa në nëntor, të katër tashmë e ndiqnin rregullisht Bayern Munihun përmes televizorit, teksa skuadra përpiqej ta rikthente në normalitet festimin e golave me tingujt e Jabadabadu-s.
Ajo që është kthyer në zakon, megjithatë, është lista gjithnjë e më e gjatë e lojtarëve të dëmtuar. Pas barazimit 0:0 në Hamburg, kësaj liste iu shtuan edhe Joshua Kimmichu, i ndëshkuar me karton të kuq, dhe Konrad Laimeri, që duhet t'i nënshtrohet një operacioni në kyçin e këmbës.
Sidomos Laimeri pritet të mungojë për një kohë të gjatë, ashtu si Saibari dhe Kane, të cilët kanë pësuar dëmtime të sindesmozës. Të paktën deri në pranverë, trajneri Vincent Kompany nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e tyre.
Situata bëhet alarmante për Kompanyn
Për trajnerin Vincent Kompany, situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Me mungesat e shumta, ai ka gjithnjë e më pak alternativa për të përmbushur objektivat e larta të sezonit.
Nëse Bayerni synon të luftojë sërish për trofeun e Ligës së Kampionëve, tashmë duket se e ka pothuajse të domosdoshme të ndërhyjë në afatin kalimtar të janarit.
“Para ndeshjes kundër Lille-s thashë se do të shihnim se si do të dukej situata kur të riktheheshin lojtarët e dëmtuar. Në atë moment nuk kishim ndjesinë se duhej të bënim ndonjë ndërhyrje”, deklaroi drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, në Hamburg.
Ky ishte edhe qëndrimi që klubi kishte përcjellë publikisht.
“Por tani ndodhi ajo që ndodhi me Jamalin, një situatë tragjike, dhe gjërat kanë ndryshuar. Natyrisht, po e shqyrtojmë me kujdes se çfarë duhet të bëjmë dhe nëse duhet të bëjmë diçka”, shtoi Eberl.
Ai theksoi se kjo nuk do të thotë se ardhja e përforcimeve është e sigurt, por nënvizoi se asnjëherë nuk e ka përjashtuar plotësisht këtë mundësi.
A do ta shfrytëzojnë të rinjtë mundësinë e tyre?
Deri në Krishtlindje kanë mbetur edhe pesë ndeshje, ndaj futbollistët e rinj si Noah Codjo-Evora, Tim Binder dhe Bara Sapoko Ndiaye kanë ende kohë për të treguar vlerat e tyre dhe për të bindur stafin teknik se mund të jenë alternativa të vlefshme për ekipin e parë.
“Papritur mund të arrijmë të nxjerrim vetë një futbollist dhe të mos kemi fare nevojë të ndërhyjmë në merkaton e transferimeve”, u shpreh Eberl.
“Pikërisht këtë kam parasysh kur them se do ta vëzhgojmë situatën dhe më pas do të duhet të vendosim nëse duam të bëjmë ndonjë ndërhyrje”, përfundoi drejtori sportiv i Bayernit.
Fakti është se problemi më i madh i Bayernit aktualisht qëndron në repartin ofensiv. Skuadra nuk kishte një alternativë të mirëfilltë për Harry Kane. Saibari ose Gnabry duhej të ndihmonin për të mbuluar mungesën e sulmuesit anglez, por tashmë asnjëri prej tyre nuk mund ta bëjë këtë për momentin.