Kosova fiton Kupën “Miqësia” në Shkodër, veteranët dhurojnë emocione

Futboll

Kosova fiton Kupën “Miqësia” në Shkodër, veteranët dhurojnë emocione

Më: 29 nëntor 2026 Në ora: 12:14
Shqipëria dhe Kosova

Në kuadër të festimeve për 28 Nëntorin, në qytetin e Shkodrës u zhvillua Kupa e Miqësisë, një aktivitet sportiv që bëri bashkë veteranët e futbollit nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora.

Në turne morën pjesë katër skuadra: Kombëtarja e Veteranëve të Shqipërisë, Veteranët e Vllaznisë, Veteranët e Kosovës dhe Veteranët e Diasporës së Belgjikës.

Në gjysmëfinalen e parë, veteranët e Kosovës fituan 3-0 ndaj veteranëve të Vllaznisë, duke siguruar një vend në finale.

Në gjysmëfinalen tjetër, Kombëtarja e Veteranëve të Shqipërisë mposhti ekipin e Shqiptarëve të Belgjikës me rezultatin 1-0, falë golit të Auron Milotit në minutat e fundit.

Finalja mes Shqipërisë dhe Kosovës u mbyll në barazim 0-0 pas kohës së rregullt, ndërsa nga gjuajtjet e penalltive triumfuan veteranët e Kosovës, të cilët u shpallën fitues të Kupës së Miqësisë. Trofeu iu dorëzua kapitenit të skuadrës kosovare nga Hysen Zmijani, iniciatori i këtij aktiviteti.

Përtej rezultateve sportive, aktiviteti shërbeu si një mundësi e veçantë bashkimi mes veteranëve shqiptarë, duke përcjellë frymën e miqësisë dhe solidaritetit përmes futbollit në këtë ditë të veçantë për të gjithë shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat