85-vjetori i Ismail Kadaresë: Shtëpia muze e tij merr një dhuratë speciale

Kultura

85-vjetori i Ismail Kadaresë: Shtëpia muze e tij merr një dhuratë speciale

Më: 28 janar 2021 Në ora: 17:48
Ismail Kadare

Ditën e sotme shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare feston 85-vjetorin e lindjes. Për të festuar këtë ditë të rëndësishme jo vetëm për artistin, por edhe për gjithë Shqipërinë, janë organizuar aktivitete të ndryshme në disa nga institucionet më të rëndësishme kulturore të vendit.

Ndërkohë Agjencia Kombëtare e Diasporës i ka bërë një dhuratë shumë të veçantë Shtëpisë Studio “Kadare” me rastin e 85-vjetorit të lindjes së shkrimtarit. Agjencia ka dhuruar disa kopje të albumit “Kadare dhe Gjirokastra”, që është hartuar në bashkëpunim me artistin Roland Tasho.

Ky i fundit sjell përmes albumit një udhëtim nëpërmjet imazheve fotografike në qytetin e lindjes së autorit, në Gjirokastrën e tij të dashur, ku shihet të ecë në rrugicat me kalldrëm, të takojë njerëz që i njeh e jo, të vizitojë vende që e frymëzuan të krijojë disa nga kryeveprat e tij.

Drejtuesja Ekzekutive e Agjencisë, Znj. Sonila Hysi në takimin e mbajtur sot në shtëpinë studio theksoi se qëllimi final i punës së agjencisë për bashkëpunimin me diasporën shqiptare, është ruajtja dhe promovimi i vlerave, kulturës, gjuhës dhe traditës shqiptare.

Këtë mision shkrimtari i jashtëzakonshëm e ka kryer më mirë se kushdo me artin e tij në gjithë këto vite duke u shndërruar në promovuesin më të mirë të Shqipërisë në diasporë dhe në arenën ndërkombëtare.

Image
Ballina e librit
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat