“Kri-ji-me fëminie”, ose gjuha si shprehja më e lartë e frymëmarrjes

Kultura

“Kri-ji-me fëminie”, ose gjuha si shprehja më e lartë e frymëmarrjes

Nga: Bajram Sefaj Më: 3 prill 2021 Në ora: 19:17
Bajram Sefaj

Ëmbëlsira, thënë figurshëm, ose ”bijou”-ja sikurse i thonë francezët xhevahirit, me erdhi direkt nga i bukuri Bukuresht, që në rrënjë të emrit ka fjalën puro shqipe – b u k u r. Romanthi “Krijime fëminie”, - se për të e kam fjalën, - kish vetëm 74 faqe. Edhe sot e kësaj dite, andej nga nahija jonë (nga pjesa veriore e Shqipërisë – ku bie Kosova, vlera e dukatit matet me karát (jo me kilogram). S’do mend, menjëherë iu qepa leximit. Kështu është gjithmonë, sa herë marr libër të ri nga Ardiani (shkrimtari im ndër më të preferuarit); me një ndryshim: kësaj radhe m’u dukën shumë pak ato faqe. Në vend që t’i lexoja, mendova t’i gëlltisja. Leximin e nisa dhe e sosa me babëzi e garbí të paparë. I rashë në fund e nuk kuptova asgjë. Shqyrtova më pas paraqitjen e librit. “Një fëmijë shqiptar i viteve ‘80 tmerrohet kur merr vesh se një shqiponjë ka lëshuar nga lart një breshkë mbi kokën e Eskilit, duke e pandehur gur, dhe ka vrarë gjeniun e lashtësisë. Fëmija themelon një trupë rojesh të fshehta dhe nis të mbrojë kokat e shkrimtarëve të realizmit socialist, që vinin për pushime në Pogradec. Libri ndjek nga afër mënyrat se si disa ngjarje të fëminisë shndërrohen më vonë në metafora dhe sidomos anasjelltas. Duke “ngjallur” pjesë-kyçe nga e folmja dhe nga ana poetike e mendësisë poradecare, autori përsijat mbi luftën e egër të gjuhës së drunjtë, dikur dhe tani, kundër Gjuhës së Epërme (poetike e shpirtërore); mbi krijimin artistik si shprehí e idealizmit dhe mbi njohjen e saktë të vetvetes, njohje që shpesh ndan shkrimtarët e mirëfilltë nga të tjerët”.

Me grusht mbi “samarin” e breshkës, jo të asaj që e rrëmben shqiponja (në roman), por mbi shpinën e miut të zi të kompjuterit, nis leximin e dytë. Me qëllim që, ngjyrë të kuqe (gjaku), të nënvizoj ato që do të më pëlqejnë më së shumti. Kur i rashë në fund leximit të dytë, pashë se kisha ngjyrosur mbarë tekstin, pa mundë me dallua ç’është më e mira, kur krejt, toptan ishte e mirë, e shkëlqyeshme madje, xhevahir ishte. I çarmatosur kryekreje, hoqa dorë nga gjithçka dhe iu drejtova autorit, për ndihmë e mirëkuptim. Le të më flasë ai vetë mbi romanin, duke filluar nga titulli provokues, e duke vazhduar me ata shtatë kapituj (Ballkan – e tashmja e pakryer; Zogj për ushqim / ushqim për zogj; Roje falas dhe ujdira; Armë, shenja pikësimi, ideale; Koka të pangrëna; Gjuheti’ dhe Gjuheshtja), që aspak nuk ngelin mbrapa provokimit në krahasim me titullin e romanit. Autori i ka duart e lira, ngase është me kompetenti, të thotë krejt atë që duhet thënë, për këtë (kye)vepër (them unë) të tijën. Bisedë virtuale (nga distanca), jo e rëndomtë, për sytë e opinionit lexues shqiptar. Ani, le të duket ashtu, (si të duket!), kurse fjala është për një roman të hollë (në fletë) e të madh në temat (dhe dilet) që trajton.

Bajram Sefaj: Mendoj se, veçmas për këtë libër, lexuesi e ka hak një bisedë me autorin...

Ardian-Christian Kyçyku: Ndoshta ngaqë ky libër ka disa “mangësi”, të cilat nuk di për sa kohë do të mbeten “të pandreqshme”. Jam i detyruar të përdor edhe në këtë bisedë thonjëza të dukshme e të padukshme. I gjithë teksti ec mbi këtë vijë, mes kuptimit të parë të fjalëve dhe kuptimit të dytë, atij që është më i fshehuri, por më jetëgjati. Po rendit mangësitë: nuk është shtypur në letër; u drejtohet vetëm atyre që e dinë shqipen shumë mirë; nuk mund t’i tregohet dikujt me pak fjalë; është thellësisht i papërkthyeshëm dhe flet për krijimin letrar nga një këndvështrim që ligjet e globalizimit e trajtojnë si të tejkaluar... Kam përshtypjen se po përshkruaj njëherazi edhe disa rroba të reja mbreti, edhe një mbret të ri rrobash...

- Pas leximit të “Kri-ji-meve...”, edhe fjala “mangësi” ka dy kuptime; mban, por edhe nuk mban thonjëza...

- Padyshim. Sepse ka libra që e përmbushin “misionin” e tyre edhe pa ndihmën e lexuesit të shumtë dhe të shtypit. Ata u ngjajnë tejmase dorëshkrimeve që qarkullonin dikur dorë më dorë. Asokohe shkaqet ishin të ndryshëm dhe dorëshkrimet qarkullonin fshehurazi; sot pasojat janë gati të njëjta dhe dorëshkrimet qarkullojnë haptas. Ngaqë është online dhe falas, “Dorëshkrimi” im mund të lexohet nga kushdo, por lexohet prej shumë pak vetëve, sepse sot sundon leximi “me veshë” (i nxitur nga shtypi i përditshëm, si dikur nga diktatura). Ua kam dërguar miqve dhe disa të njohurve që di se do ta lexojnë. Mjafton. Jam kthyer njëfarësoj në kohën kur ende prisja të më botohej një libër.

- Thoni “thellësisht i papërkthyeshëm”?! Lidhet kjo me faktin që shkruani në dy gjuhë?

- Për letërsinë e mirëfilltë, arritje nuk është të përkthehesh në sa më shumë gjuhë, por të mbash gjallë, në nivelin më të lartë, gjuhën që do ta quaj Vetjake, qoftë amtare, qoftë e dytë; të risjellësh në të thesare, të cilët analfabetizmi shpirtëror ngutet t’i shpërbëjë, t’i zgjosh apo edhe t’i rimbjellësh “perlat” (që rëndom i përkasin popullit) brenda atij lexuesi të pakët që kryen kalimin e cilësisë letrare nga një brezni (ose mendësi) në tjetrën. Shpresoj të mos tingëllojë papranueshëm poetike, por në Babelin shpirtëror ka lexues që mbijetojnë vetëm duke e shijuar gjuhën e vet pakashumë siç ishte kur Krijuesi ndau gjuhët dhe i vuri kufirin Kullës së Babelit. Shijimi nënkupton edhe mposhtjen e së tashmes, edhe një udhëtim shpirtëror në kohë... Këtyre lexuesve u drejtohen “Kri-ji-met...”, që, - teksa politikanë e akademikë bëjnë mbledhje e hartojnë ligje për mbrojtjen e gjuhëve “të vogla”, - nuk përshkruan a shpjegon se çfarë mund të bëjë shqipja, por e dëshmon drejtpërdrejt, si përjetim, çfarë mund të shprehë, si e sa mund ta njohë botën, njeriun, gjallesat. Njohja nuk nënkupton medoemos pushtim, sundim, por më tepër gjetje e vendit të saktë në jetë... Po ju tregoj një ngjarje të para dhjetë vjetëve. Një përkthyese e njohur rumune kërkoi të rijepte në anglisht një novelë timen. Kaluan muaj pa asnjë njoftim. Kur rastisi të takoheshim, më kërkoi ndjesë, më tha se kish hequr dorë nga puna. "Më pëlqen aq shumë novela, - më sqaroi, - saqë s'ua jap dot të huajve, ndonëse i çmoj edhe si njerëz, edhe si lexues". Çdo koment më duket i tepërt. Ndodhin edhe gjëra të tilla. Tani ka një stërmundim gjuhësh “të vogla” për t'i përhapur arritjet e tyre përmes gjuhëve të mëdha, por harrohet që “të voglat”, në radhë të parë duhet të mbrohen, të zhvillohen natyrshëm, sa më të lira nga "formati". Për fat të keq, duke menduar globalisht, shumica e autorëve të sotëm, kur shkruajnë, ia nënshtrojnë gjuhën e tyre vetjake një shtrese ndërmjetëse, një gjoja-gjuhe, që është lehtësisht e përkthyeshme në gjuhët “e mëdha”. Nuk di ta ketë pyetur veten ndonjë nga këta autorë nëse gjuha vërtet nuk mbarohet, sikur të ishte lëng, ose lëndë. Se jeta e gjithkujt mbaron dikur. Ka dëshmi që folësi i mbramë i një gjuhe, për shembull, ka qenë papagalli i Humbold-it. Po sikur kjo etje për ta bartur në gjuhë të tjera një ditë ta harxhojë krejt gjuhën vetjake, ose ta bëjë të padobishme?!

- Po shkëpus disa rreshta nga paraqitja: “Një fëmijë shqiptar i viteve ‘80 tmerrohet kur merr vesh se një shqiponjë ka lëshuar nga lart një breshkë mbi kokën e Eskilit, duke e pandehur gur, dhe ka vrarë gjeniun e lashtësisë. Fëmija themelon një trupë rojesh të fshehta dhe nis të mbrojë kokat e shkrimtarëve të realizmit socialist që vinin për pushime në Pogradec”...

- Bukuria e Poradecit mund të zgjojë tek fëmijët ide dhe përfytyrime të rralla, gjendje mrekulluese dhe tmerruese, pa marrë parasysh moshën e ëndrrat. Jo rastësisht “Qyteti ku vdiset më bukur” ka gati një letërsi më vete. Në “Kri-ji-me fëminie” kam dashur të përshkruaj mënyrat se si vjen (zbret, zgjohet, ngjizet etj) gjuha e secilit prej nesh, por në kushte të pazakonta. Për mua gjuha është shprehía e epërme e frymëmarrjes. Ardhja e saj ndodh në fëmininë e hershme dhe mund të këqyret edhe si një hije, ose si pasqyrim i Pagëzimit. Kur u linda unë, pagëzimet ndaloheshin e ndëshkoheshin. Po ku e merrnin dot me mend ligjvënësit se Pagëzimi ka aq trajta që s’mund t’i kontrollojë dot njeriu?! As ne vetë s’e dinim. Thënë ndryshe: vetëm kur ke gjuhën tënde, i përket vërtet Krijimit. Gjuha që arrin të flasësh, sidomos me vete, përcakton botën ku do të jetosh, madje edhe cilësinë e jetës që do të kesh. Në të kundërt, mbetesh nën pushtetin e krijesave, të cilat, në shumicën dërrmuese të rasteve, bëjnë pikërisht ato që nuk i këshillon Krijuesi... Kjo me themelimin e grupeve të fshehtë është histori e gjatë, vazhdon edhe në Tiranë, por e kam lënë për të tjera kri-ji-me...

- “Libri ndjek nga afër mënyrat se si disa ngjarje të fëminisë shndërrohen më vonë në metafora dhe sidomos anasjelltas”…

- Besoj se i ndodh shumëkujt. E ardhmja shpesh përdhos hap pas hapi metaforat e fëminisë, si me ca vezë, nga të cilat, në vend që të dalin zogj, dalin zvarranikë, ose lëndë vrasëse... Disa nga metaforat e fëminisë shndërrohen në ngjarje, por dhe anasejlltas. Ka një baraspeshë mahnitëse mes tyre. As me njerëzit nuk ndodh ndryshe: shumica bëhen personazhe, gjer edhe kur nuk merresh me letërsi; ndërsa, kur shkruan, mund të ndodhë që disa personazhe të bëhen njerëz. Është një hapësirë e rrezikshme, të cilën shumë autorë nuk e shohin, e anashkalojnë, ose thjesht nuk e çmojnë sa duhet...

- “Duke “ngjallur” pjesë-kyçe nga e folmja dhe nga ana poetike e mendësisë poradecare, autori përsijat mbi luftën e egër të gjuhës së drunjtë, dikur dhe tani, kundër Gjuhës së Epërme (poetike e shpirtërore)

- Kam tashmë disa libra të shkruar në të folmen e Poradecit (qytetit, jo poetit). Nuk u ka ardhur ende dita e botimit. Është një mundësi e vyer për të marrë frymë si dikur... Sprova e “gjuhëve” të drunjta, - në fakt: kundragjuhë, - vijon gati po aq egër sa edhe vite më parë. Ato janë jo vetëm dëshmi shtypjeje, por edhe mjete të të shtypurve që janë dorëzuar dhe duan të shtypin sa më shumë të tjerë. Nuk e shohin dot bashkimin dhe mirëkuptimin veçse përmes njësimit të vlerave dhe të përmasave. Duke synuar të duken sa më pak të rreme, kundragjuhët, ose nëngjuhët, përdorin pa hesap fjalë të fryra e të zbrazëta. Më kujtojnë shprehjen e lashtë kineze: “Asgjë s'bën më tepër zhurmë sesa një karrocë me enë të zbrazëta”. Zbrazëtia dhe cektina janë gjithmonë e zhurmshme. Kjo zhurmë prish pandijshëm shijet e lexuesit dhe e stërvit të kënaqet me pak. Dhe, siç e thonë rumunët: “Pak kërkon, pak mbetesh”.

- Në libër është gati një kapitull për librat e realizmit socialist dhe për disa autorë të tij... Libra me gjuhë të drunjtë, autorë të...

- I kam dëshmuar gjërat pikërisht siç i kam jetuar. As që bëhet fjalë t’i gjykoj si njerëz, madje as si autorë, sepse mjafton të mos i lexosh më. Por lexuesi duhet të mësojë se dëmi që bënë ata lloj librash mbetet ende gjithaq i pallogaritshëm, sa edhe veprues. Me ose pa dashje, ata libra bindën njerëzit se bota dhe jeta ishin vetëm ashtu siç e përshkruanin. Nuk është ndonjë hatá, se këtë synon shumica e librave. Tragjedia niste kur, me mbështetjen e Partisë dhe si mbështetje ndaj saj, të detyronin të jetoje vetëm në atë botë, duke mohuar çdo botë tjetër të mundshme, me në krye Botën Tjetër. Ishte për të qeshur e për të vjellë. Si qe e mundur që letërsia, më e qarta dëshmi e të paktën një bote tjetër, të ndryshme nga e përditshmja, mohonte të gjitha botët e mundshme?! Njëkohësisht, u shpërdorua një ëndërr e lashtë dhe e kulluar njerëzore për ta mësuar njeriun se si të mos e njohë saktësisht vetveten dhe të çmojë me fanatizëm arritjet e rreme. Vit pas viti e libër pas libri, ata autorë punuan dhe shpesh ia dolën mbanë t’u jepnin lexuesve përmasat që kishin vetë (mendore, shpirtërore, kulturore, ideologjike) pa marrë parasysh mërzinë e lindur të njeriut, atë që aq bukur e pa mëshirë pastron bërsitë e së panatyrshmes. Se njeriu ka edhe dhuntinë t’i mërzitet jeta, jo më një lloj letërsie. Kur u arrit në atë gjendje, autorët përkatës, me nuhatjen prej zyrtarësh, me përvojën e pasur dhe me etjen që vjen nga parandjenja se do të harrohen, e zhvendosën shtypjen e dikurshme mbi shtypin e tanishëm. Është çështje pushteti, jo letërsie, ndaj edhe s’ka pse çuditet njeri. Paqja vazhdon, të themi, siç vazhdonte lufta ndër librat dhe filmat e tyre. Kurse dhuna mbi lexuesin dhe mbi shkrimtarët e pavarur, në vend që të mpaket, rritet.

- Më ka mbetur në mend një shprehje e librit për gjuhën zyrtare: „Erdhi dita ta varim, të shkretin, se jetonte prej aq kohësh i pavarur”…

- Janë shprehje që sot mund t’i hasësh kudo, në gjithfarë trajtash fanatizmi të fshehur.

- Autori përsijat edhe “mbi krijimin artistik si shprehí e idealizmit dhe mbi njohjen e saktë të vetvetes, njohje që shpesh ndan shkrimtarët e mirëfilltë nga të tjerët”...

- Bindjet tona rreth krijimit artistik mbeten gjithmonë jetëshkurtra, sidomos kur ke fatin që frymëzimi, me kalimin e moshës, të shtohet, jo të mpaket. Thelbi mbetet tek frymë-zimi, jo lëndë-zimi e të tjera. Pasi fryma shndërrohet në letër, disa libra nuk mund të rrëfehen, ashtu sikurse ka rrëfime që nuk mund të shkruhen. Këta rrëfime do të duhet t’i shkruajë secili lexues me vete.

- Një protagonist më vete i librit është i madhi Lasgush...

- Lasgush Poradeci si mishërim i artistit të krijuar, jo të bërë. Qënie që, me çmim tejet të lartë, e rrënjosi veprën në vend të jetës dhe gjeti veten. Kjo vete më duket një model i përsosur për artistët gjatë fillesave, ose vazhdimeve të tyre. Vetja si ndarje e natyrshme nga shumësi, nga buja; rojtare për jetë a vdekje e Gjuhës, e Poezisë së brendshme... Për hir të së vërtetës, duhet të dëshmoj se pjesë të “Kri-ji-meve...” i kam shkruar me mend gjatë vjeshtës së vitit 1986. Rrugëtimi me tren nga Poradeci në Tiranë, ngaqë dija përmendësh dhe e flisja pa zë gati gjithë veprën poetike të Lasgushit, aq sa ish botuar deri atëhere, m’u duk se zgjati jo gjashtë orë e ca, si zakonisht, por disa minuta...

- Duket qartë se teksti ka edhe letërsi, edhe eseistikë, edhe memorialistikë, madje edhe kinema. Thonjëzat bien e ngrihen, duken e zhduken, bashkë me shenjat e pikësimit. Mbyllja çon drejt një gjendje që do ta quaja idealizëm letrar...

- Kam shkruar siç kam marrë frymë. Libri mban në krye strofën “Të lus, o Lajmës Qielluar! / O Frym’ e Zotit, vetë Zot!” si bindje e hapur se Letërsia bëhet me frymë, jo me vegla, plane, synime. Ndaj edhe kam renditur, si në një lojë fjalësh, krejt të papërkthyeshme: Krijimi, Shkrimi, krijimi, shkrimi, shkrijimi, krimi.

- A hyn edhe ky libër tek ata që i emërtoni “shkujtime”?

- Po. Shkujtime, ose një Letërsi që është po aq e gjithkujt, sa edhe gjurmë e pangatërrueshme e dikujt. Prandaj ballinën e kam bërë me gishtin e madh. Me atë gisht votojnë edhe sot ata që s’dinë shkrim e këndim.

***

Fragment

“Ishte vërtet heshtje varri, ose krijimi përreth; nuk dëgjoheshin as dallgët e Gjolit, as mërmërima e gjetheve, as rrokjet nanuritëse të përroit që quhej Lumi, qëmoti Lumi i Madh. As rrahjet e zemrës së ndonjë zogu, madje as të zemrave tona. Për herë të parë nuk dëgjoja rrahjet e zemrës. Po si mund të rrihte zemra në ngjarje të tilla.

Lasgushi nuk e ndjente fare praninë e policit, por mundohej të shënjonte sa më mirë diçka. Ose dikë. Nuk i dridheshin gishtat. U mrekulluam që një poet aq i shtyrë në moshë mbante llastika dhe gjuante si ne. Ndofta kish vënë në shënjestër shqiponjën me breshkë. Mbeta i bindur se, mbi kokën e policit, majë pemës, po priste vdekjen një gushkuq, mbase falë fjalës gushë, të cilën edhe Lasgushi, edhe gushkuqi e kishin të përbashkët.

Polici e theu heshtjen me një zë heroi nga ata të filmave me luftë:

- Turp të keni, zoti Lasgush… Në këtë moshë…

Veshur me të zeza, aq sa dukej thjesht një këmishë e bardhë me njeri të padukshëm brenda, - nuk zbulova kurrë nëse e kish pasur me vete bastunin, apo ishte i tëri në tjetër moshë, - Lasgushi e ringjiti heshtjen ndoshta me zërin e vetë Heshtjes (që është edhe heshtja e vetë Zërit):

- Turp të kesh ti, se më trembe zogun që po vrisja…

Ra sa hap e mbyll sytë nata e vjeshtës së parë, siç bie në Poradec, kur dielli përmbyset vërtikthi pas Kalasë.

Njëri nga zërat e mi tha: „Më hipi gjaku në kokë”; tjetri: „Më hipi boja”. Vërtet një lëng i çuditshëm më kish brofur nga zemra, më qe mbledhur në gushë, pastaj, pa ma zgjeruar aspak fytin, më kish hipur në kokë.

Nuk di saktësisht se kur bërtitëm njëzëri, në kor, ose vetëm unë me zërat e mi, në një si njëfarë cicërimë të egër, por të coptuar, të egërsuar nga coptimi dhe të coptuar nga egërsia:

- Lere, o derdimen, ta vrasë, se ai ka shkruar për Zogun e Qiejve, për Shtërgun madhështor me shpirt të gjorë, për Shqiponjën e arratisur në Mal të Thatë, për Nositin që shqyen gjirin dhe u jep zogthave të hanë. Në mos ai, kush ka lejë, madje duhet të vrasë zogj… Vrasim ne fëmijët, si mund t’ia ndaloni atij. Në vend ta lusni të vrasë sa më shumë zogj, ia trembni… Po e vriste, se ia dëgjoi vajtimthin dhe, duke ia ndërprerë vajtimthin, do t’ia dëbonte edhe jetës frikën se mos vdesi… Nuk po vriste zog, por frikën e jetës…

Nuk mbaj mend se nga cili çast e tutje, ato që mund të dëgjoheshin nisën të shkruheshin, duke thelluar heshtjen e gjuhës dhe anasjelltas. Edhe jeta vepronte si poeti. Na tregonte diçka, por ndërkaq bënte diçka tjetër, ose krejt tjetër. Edhe im gjysh, kur bënte shkallë e dritare, në fakt, nuk bënte thjesht dritare e shkallë, por ngjitej nga diku për diku tjetër dhe shihte diçka – e ato vetëm Zoti dhe im gjysh i dinin.

Ndiheshim të kryengritur sikur nuk kishim parë shpëtimin e jetës së një zogu, por vrasjen mizore të një shkrimtari pa të dytë.”
[Shkëputur nga „Krijime fëminie”, Librarium Haemus, Botim digjital, ISBN: 978-606-8093-91-8, Ballina: KÜdesin, sipas një punimi të autorit, Bukuresht 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat