Shpendi Topollaj në librin më të ri “Aforizma me Humor”

Kultura

Shpendi Topollaj në librin më të ri “Aforizma me Humor”

Nga: Kadri Tarelli Më: 30 qershor 2022 Në ora: 22:11
Kopertina e librit

Para dy ditësh, miku ynë Shpendi Topollaj më dhuroi librin e tij më të fundit “Aforizma me humor”. Libër i një lloji tjetër në krijimtarinë e madhe të romancierit, poetit, dramaturgut, kritikut e publicistit Shpendi Topollaj, që mbështetet në përvojën e madhe të jetës dhe veprimtarisë së gjerë letrare, të jetësuar në rreth 60 botime.

Vetë autori, diku në hyrje të librit, me shumë sinqeritet, shprehet: - “I kam lëvruar të gjitha gjinitë e letërsisë, ndaj thashë që ta provoj edhe këtë që më ka mbetur”. Pra, është një përpjekje e re për të sjellë te këndonjësi i mësuar, një përvojë të re në mendimin e shkruar, vlerën e të cilës do ta caktojë e peshojë vetë lexuesi.

Libri lexohet shpejt, pasi është nderuar bukur, pa ngjeshje por me hapësira që nuk të lodhin, veç të shtyjë ta mbarosh me kënaqësi dhe kërshëri edhe faqen e fundit, duke u rikthyer për të nënvizuar, shkruar, e mbajtur mend aforizmat, apo thëniet e mençura, që përfshijnë gati të gjitha udhët e jetës njerëzore, letrare, shoqërore, arsimore, ushtarake, politike, shkencore e filozofike.

Që në fillim Shpendi kujdeset të sqarojë kuptimin e “Aforizmit”, si fjalë që përdoret gjerësisht në letrat e shkruara, duke na thënë:

- Ç’është aforizma? - “Një thënie që rëndësinë e merr më shumë nga emri i autorit, sesa nga mençuria e mesazhit që do të japë”. Dhe vazhdon më tej:

- Ç’është një traktat? - Fjalë e dhënë që nuk mbahet kurrë deri në fund.

- Ç’është mësuesi? - Shenjtori i të gjitha feve, njeriu para të cilit mbetemi gjithmonë fëmijë.

- Ç’është jeta e përtejme? - Mashtrimi që u bëhet injorantëve, për të mos u ankuar nga e sotmja.

- Ç’është poezia? - Muzikë pa nota, që buron nga emocioni i shndërruar në vargje. Kështu, pa qenë nevoja, mund të vazhdoj pa fund, duke përsëritur librin. Mënyrë që e bezdis lexuesin.

Në një vështrim të përgjithshëm mbi këtë libër të bukur të mbushur plot me aforizma, kam dëshirë të shtoj edhe një gjykim timin, që në një farë mënyre pëlqej edhe një udhë tjetër. Formë që Shpendi i shmanget me mjaft mjeshtëri, dukë thënë: “Një miku im, një herë më sugjeroi, që nga gjithë librat e mi, të zgjidhja të gjitha thëniet më pikante dhe t’i botoja në një përmbledhje më vete. Do të ishte një punë e mundimshme, pasi librat ishin të shumtë……”. Edhe unë jam në një mendje, me Shpendin, që ka shumë të drejtë, duke shtuar pyetjen edhe përgjigjen: A është e mundur që vetë autori të zgjedhë fjalën dhe të pëlqejë mendimin e tij? Besoj se kjo është e pa kuptimtë, pasi është lexuesi që bën vlerësimin, jo autori. Gjykimi i shëndoshë nuk e pranon që autori të përsërisë dhe të lëvdojë vetveten.

Duke mirëkuptuar Shpendin, mendoj se këtë detyre mund ta marrë përsipër dikush tjetër, një studiues me durim dhe vullnet të paepur, që të shfletojë të gjithë veprën e tij, ku vërtet do të gjejë një thesar mençurie dhe diturie me shumë vlerë, gjë që kërkon shumë mund dhe kohë. Kjo më jep të drejtë t’i drejtohem mençurisë së popullit, që fare shkurt, thotë: “Gjërat e mira bëhen me mundim, përkushtim dhe dashuri”.

E them këtë, për të qenë sa më i rreptë me mendimin tim, sepse unë që njoh një pjesë të madhe të krijimtarisë së Shpendit, kam mundur të huazoj e të shkëpus disa fjali e shprehje, për të cilat më vjen keq që nuk janë aq shumë, por që më kanë vlejtur e më vlejnë për të ilustruar shkrime e mia. Një formë që më ndihmon dhe më pëlqen ta ushtroj, ndërsa Shpendi falë kujtesës së tij të fort, e përdor me tepri dhe me shumë mjeshtëri, sa e ka shndërruar në art.

Nuk çuditem, që Shpendi edhe në këtë libër nuk kursehet të lerë porosi: “Shprehjet e bukura i kam vlerësuar si thesare që u takojnë të gjithëve, një lloj si ligjet e fizikës, kimisë, matematikës, astronomisë, etj, që mbeten pasuri e çdo populli dhe çdo individi”. Besoj se kaq mjafton të jetë bindës. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe lexuesi që nuk është ndeshur kurrë me veprën e këtij autori, do të bindet lehtë, mjafton të lexojë vetëm hyrjen, që zgjat më pak se një faqe format dhe do të gjejë rreth 6 apo 7, thënie nga klasikët e antikitetit dhe të kohëve moderne.

E gjitha kjo më ka shtyrë të kujdesem, që krahas fjalëve të arta nga mençuria botërore, të përfshij edhe autorë shqiptarë, mes tyre edhe pena të njohura durrsake. Bie fjala: Vaso Papaj, Hysen Haxhiaj, Vladimir Muça, Trandafile Molla, Merita Kuçi-Thartori, Meçan Hoxha, Bashkim Kadiu, Fatmir Minguli, Rifat Plaku, Agim Bajrami, Teuta Dhima, Ymer Nurka, Niko Sudari, Besim Shahini, Bajram Halil Gashi, Mimoza Berisha, Hashim Kërtusha, Besim Dema, Daut Hoxha, madje edhe skulptorin Qazim Kërtusha. Janë shprehje, që në shumicën e herëve i grumbulloj dhe krijoj një bllok, si një magazinë kujtese, për t’i përdorur duke i dhënë bukuri e forcë shkrimit.

Po rendis disa, për të bindur veten dhe të tjerët, mbi hijeshinë e fjalës dhe thellësinë e mendimit të mikut tonë Shpendit:

. Edhe modestia ka një kufi. Duke shpalosur vlerat, brezat jo vetëm njohin shembullin që duhet të ndjekin në jetë, por do të kuptojnë se madhështia e qytetit dhe atdheut të tyre, qëndron pikërisht te njerëzit.

. O kryetarë shqiptarë! Ku po e çoni Shqipërinë. Ku vajti dinjiteti i saj i fituar me aq sakrifica ndër shekuj? Hidhni pas krahëve inatet personale dhe makutërinë për pushtet.

. Intelektuali i përgjegjshëm, edhe në hënë po të jetë, sytë e mendjes dhe të zemrës te vendlindja do t’i ketë. Atdheu gjithmonë të ndjek pas si hije.

. Kanë dashuruar mbretër e perandorë, dhe po me atë fuqi shpirti, kanë dashuruar edhe shërbëtorët dhe ushtarët, edhe minatorët dhe bujqit e zakonshëm.

. Po të jetë se nga dajaku,/ i mençur bëhet njeriu/s’do ngrënë gomarit haku,/po të thotë: Jam gjeniu!.

. Burokracia dhe korrupsioni krijojnë ligje si rrjeta e marimagës, që mushkonjat i kap, ndërsa çakejtë çajnë e ikin.

Jam i bindur se gjithçka i thënë në këtë shkrim, për Shpendin, mund të gjejnë shtrat në këto fjalë, që aq sinqerisht dhe miqësisht i thotë, poeti Bardhyl Agasi: “Ti shfaqesh edhe si një mendimtar plot përvojë jetësore, një filozof që ke mundur të grumbullosh mendimin më të përparuar që nga lashtësia deri në ditët tona…..”

Urime Shpendi!

Suksese edhe në libra të tjerë, duke qenë i bindur se pena juaj nuk do të pushojë edhe për shumë vite të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat