Dokufest, festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër në Prizren

Kultura

Dokufest, festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër në Prizren

Më: 7 gusht 2022 Në ora: 20:03
Dokufest

Në Prizren po mbahet edicioni i 21-të i festivalit të filmit dokumentar, i njohur si “Dokufest”, në të cilin këtë vit shfaqen mbi 250 filma. Festivali, këtë vit kthehet plotësisht në formën klasike, pas dy edicioneve të kaluara që u kufizuan për shkak të pandemisë së Covid-19.

Yvonne Lumb, mësoi për festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër - Dokufest, në vitin 2014 derisa po punonte në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Sivjet, zonja Lumb tashmë e pensionuar, ka ardhur nga Austria në Prizren për të marrë pjesë për herë të gjashtë në këtë festival.

“Është një atmosferë shumë magjike, e shkëlqyeshme, ka kaq shumë kreativitet. Organizatorët përpiqen shumë që të sjellin një festival të tillë dhe për mua është një nga ngjarjet më të pëlqyera kulturore në mbarë botën”, tha zonja Lumb për Zërin e Amerikës.

Ajo thotë se Dokufesti i ofron një përvojë tërësisht të posaçme, e cila i kishte munguar dy vitet e kaluara për shkak të pandemisë së COVID-19.

“Është thjeshtë një ndjenjë e mrekullueshme, të gjithë tregohen shumë zemërgjerë me kohën e tyre, mund të takosh regjisorë dhe filmbërës e të debatosh me ta rreth filmave, kjo është një përvojë vërtetë e veçantë. Në qendra më të mëdha botërore dhe festivale akoma më të mëdha ju nuk mund ta bëni një gjë të tillë pra ta keni atë komunikim, atë afërsi”, thotë ajo.

Çdo vit, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër - Dokufest, i cili po mbahet këto ditë në Prizren, mbledh vizitorë nga shumë vende të botës duke e shndërruar atë gjatë verës në kryeqendrën kulturore të Kosovës.

Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, në një bisedë me Zërin e Amerikës, tha se tema e ketij viti është “Hoë to survive” apo në shqip “Si të mbijetojmë”, temë kjo që lidhet me zhvillimet e fundit në botë siç është edhe lufta në Ukrainë.

“Një pjesë e asaj ose një shtytje ndaj kësaj teme natyrisht që ka qenë edhe ajo që po ndodh në Ukrainë, agresioni rus atje. Por jo vetëm ajo, ne kemi pasur disa shqetësime me aspekte ndoshta edhe më të mëdha se vetëm një luftë, edhe pse ajo luftë është e tmerrshme dhe po kushton me shumë jetëra, po ne jemi të shqetësuar edhe me atë se çfarë po ndodhë me ngrohjen globale, me një mosadresim ndaj kësaj çështjeje madhore”, tha zoti Nurkollari.

Ai tha se këtë vit kanë konkurruar rreth 3 mijë filma nga 120 shtete të ndryshme, ndërsa janë përzgjedhur mbi 250 filma për t’u shfaqur gjatë nëntë ditëve sa zgjat ky festival.

“Në kategoritë garuese që janë gjithsej 8 këtë vit, kemi diku mbi 100 filma, secila kategori natyrisht ka jurinë e vet dhe në fund do të ndahen shpërblimet. Në ato kategori garuese ka mjaft filma që janë cilësorë, fitues të çmimeve të ndryshme prej festivaleve prestigjioze. Por edhe në kategoritë që nuk janë garuese ka filma që vijnë direkt prej festivaleve kryesore si nga Cannes, Berlin e Sundance”, tha ai.

Drejtori i festivalit, Eroll Bilibani, thotë se përpos filmave, festivali sjell edhe numër të madh të punëtorive e debateve duke shënuar një rikthim të plotë të tij në formën e para pandemisë.

“Veçantia e tij është që këtë vit kthehemi me fuqi të plotë pas dy viteve tepër të vështira, pas një viti online e një tjetri hibrid, këtë vit kthehemi me programin siç e kemi pasur, me numër rekord të kinemave, dhjetë kinema”, thotë ai.

Pak pas përfundimit të luftës në Kosovë, festivali kishte filluar si një përpjekje për të funksionalizuar një kinema në qytetin e Prizrenit. Në atë kohë organizatorët thonë se mezi kishin mbledhur 20 filma të shkurtër dokumentar. Ndërsa përgjatë viteve festivali përveç shtimit të pjesëmarrjes, sipas organizatorëve, po luan një rol të rëndësishëm jo vetëm në ringjalljen e jetës kulturore në Kosovë, por edhe në shkëmbimin kulturor me shumë vende gjithandej botës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat