Von Cramon kritikon Vuçiqin: Deklaratat e tij u pritën shumë keq në BE, nuk i takon atij të vendosë për Kosovën

Lajme

Von Cramon kritikon Vuçiqin: Deklaratat e tij u pritën shumë keq në BE, nuk i takon atij të vendosë për Kosovën

Më: 28 mars 2023 Në ora: 09:34
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se deklarata e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se nuk mund të nënshkruajë marrëveshje pasi ka dhimbje në dorë, nuk është pritur mirë në BE.

Ajo ka thënë se deklarimi i Vuçiqit u prit shumë keq në Bruksel dhe në kryeqytetet e shteteve kyçe të BE-së.

"Megjithatë, retorika pas gjithçkaje dhe tallja me 'dhimbje torturuese në dorën e djathtë' u prit shumë keq, si në Bruksel ashtu edhe në kryeqytetet kyçe të Bashkimit Evropian (BE).” – ka thënë Von Kramon për gazetën Nova.

Von Cramon tutje ka thënë se “nuk i takon Serbisë të vendosë nëse Kosova mund të hyjë në OKB”.

Ajo shtoi gjithashtu se është mjaft e sigurt se pozita ndërkombëtare e Serbisë do të kishte qenë shumë më e mirë nëse do të kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Kemi vënë re renditjen e Serbisë në OKB dhe në forume të tjera ndërkombëtare, por ajo që duhet të shohim nuk është vetëm vendosja e sanksioneve, por edhe një largim i qartë nga Rusia. Prania e RT dhe Sputnik, të cilat prodhojnë përmbajtje në gjuhën serbe, e bën këtë jashtëzakonisht të vështirë dhe për këtë arsye ne insistojmë që Serbia t'i ndalojë ato. Gjithashtu, drejtori prorus i BIA-s, Aleksandar Vulin, është një shembull tjetër se pse Serbia ka një reputacion si një kukull ruse në Ballkan. Ne po humbasim besimin në shërbimin e inteligjencës serbe dhe unë personalisht do të kisha frikë të bëja diçka kundër Rusisë në Serbi për sa kohë që ai e mban atë pozicion.” – ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat