E dhimbshme: Fëmija rreth 1 vjeç vdes pas zjarrit në Prizren – tre të tjerë u shpëtuan

Lajme

E dhimbshme: Fëmija rreth 1 vjeç vdes pas zjarrit në Prizren – tre të tjerë u shpëtuan

Më: 30 dhjetor 2025 Në ora: 10:54 Përditësuar në ora: 13:02 më 30.12.2025
Foto ilustrim

Tragjedia në Prizren: Kryeprokurori zbulon se nëna dhe fëmijët ishin në gjumë kur shpërtheu zjarri

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, në emisionin “Kosova Live” të T7, ka dhënë detaje rreth rastit tragjik që ka ndodhur sot në Prizren, ku si pasojë e zjarrit një fëmijë i moshës njëvjeçare ka humbur jetën.

Ai tha se në shtëpi kanë qenë nëna me katër fëmijët dhe që të gjithë ishin në gjumë.

Kryeziu tha se shkaqet e zjarrit nuk dihen akoma por nuk ka dyshime që bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.

“Sot më 30 dhjetor rreth orës 10 të mëngjesit kemi marrë informatë për një zjarr ku po digjej një shtëpi e banimit në qendër të qytetit, saktësisht afër Shtëpisë së Kulturës. Për fat keq kemi edhe një humbje jete. Ajo që dihet deri tani është fakti se në shtëpi ka qenë nëna së bashku me katër fëmijët e saj, ku tre prej tyre kanë shpëtuar, përderisa një fëmijë i moshës rreth 1 vjeç ka humbur jetën. Me të marrë informacionin, policia, hetuesit, zjarrfikësit dhe ekspertët e zjarrit dhe prokurori i rastit janë në vendin e ngjarjes. Është shuar zjarri dhe janë duke u bërë hetime për shkakun e zjarrit…

Ende nuk është fikur në tërësi zjarri për t’i kryer ekspertizat sepse dihet që provat mblidhen në vendin e ngjarjes dhe prokurori i rastit gjendet aty, janë hetuesit dhe po bëhen të gjitha veprimet  e duhura për të ardhur te vërtetimi i asaj që ka ndodhur. Deri më tani nuk kemi ndonjë dyshim që kemi zjarrvënie të qëllimshme, mund të ketë arsye tjera por ende është herët të konfirmojmë diçka”, tha ai. Ai shtoi se fëmijët tjerë janë jashtë rrezikut për jetë.

Kryeziu shprehu ngushëllime familjes për vdekjen e fëmijës dhe tha se institucionet do të punojnë në vërtetimin e shkaqeve që çuan në rastin tragjik.

------

Si pasojë e një zjarri që shpërtheu në Prizren, ka humbur jetën një fëmijë rreth 1-vjeçar.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Fëmija dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e thithjes së tymit.

“Sot, më datën 30.12.2025, rreth orës 10:00, është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit. Si pasojë e zjarrit, një fëmijë rreth moshës 1 vjeç ka humbur jetën, ku dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e thithjes së tymit”, thuhet në konfirmim.

Ndërkohë tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë, ku po marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

Njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes.

Sipas Bytyqit, shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat