Tom Cruise acarohet me ekipin e filmit “Mission: Impossible” për shkelje të masave anti-COVID

Mediale Vip

Tom Cruise acarohet me ekipin e filmit “Mission: Impossible” për shkelje të masave anti-COVID

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 15:16
Tom Cruise

Aktori i njohur, Tom Cruise, është acaruar për shkak të shkeljes së masave të sigurisë nga COVID-19, në sheshin e xhirimeve të filmit të ri “Mission: Impossible” në Londër, duke i thënë pjesëtarëve të ekipit se do të pushoheshin nga puna nëse nuk i përmbahen këtyre rregullave.

Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja britanike “The Sun”.

Në fjalimin ku aktori ia tërheq vëmendjen ekipit prapa realizimit të filmit të ardhshëm, i cili është incizuar dhe më pas ky audio incizim është siguruar nga “The Sun”, Cruise dëgjohet duke bërtitur dhe kritikuar pjesëtarët e ekipit për mos respektim të distancës sociale dhe rregullave tjera, të cilat e mundësojnë xhirimin e filmit në kohë pandemie.

Një burim i afërt citohet të ketë thënë se audio incizimi në fjalë është autentik, derisa zëdhënësit e yllit Hollywoodian nuk kanë pranuar të komentojnë rreth ngjarjes.

“Gjatë gjithë natës jam në telefon duke komunikuar me studio filmike, kompani të sigurimeve dhe producent të ndryshëm, të cilët e mbikëqyrin punën tonë dhe mbështeten tek ne për t’i realizuar filmat e tyre. A e kuptoni çfarë përgjegjësie keni? Sepse unë do të merrem me arsyetimet tuaja. Dhe nëse nuk mund të tregoheni të arsyeshëm dhe unë nuk mund të përballem me logjikën tuaj të gabuar, atëherë jeni të gjithë të pushuar nga puna”, dëgjohet duke thënë Cruise në këtë audio incizim.

Tutje aktori i kishte thënë pjesëtarëve të ekipit se, Hollywoodi po llogarit në filmat sikur “Mission: Impossible”, për ta shpëtuar industrinë e filmit nga dëmi që ia ka shkaktuar pandemia

“The Sun” nuk ka bërë të ditur se kur ka ndodhur ky incident, por xhirimi i skenave të filmit në Londër kishte filluar në dhjetor.

Vazhdimi i shtatë “Mission: Impossible”, ishte një prej filmave të parë që i kishte pezulluar xhirimet në Venecie të Italisë, në shkurt të këtij viti, për shkak të shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.

Puna rreth realizimit të këtij projekti të suksesshëm në arkat filmike,, kishte rifilluar në muajin shtator, duke xhiruar në shtete të ndryshme të botës si Italia, Norvegjia dhe Britania e Madhe.

“Mission: Impossible 7” pritet të lansohet nga studioja “Paramount Pictures”, në nëntor të vitit 2021.

Filmat e mbushur me skena aksion ku rolin e agjentit Ethan Hunt, e portretizon aktori Tom Cruise, konsiderohen ndër më të suksesshmit në Hollywood. Vazhdimi i kaluar i lansuar në vitin 2018, “Mission: Impossible-Fallout”, i kishte arkëtuar më shumë se 791 milionë dollarë në arkat filmike botërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat