Jonida Vokshi tregon mes lotësh momentin e vështirë kur po sillte në jetë të bijën

Mediale Vip

Jonida Vokshi tregon mes lotësh momentin e vështirë kur po sillte në jetë të bijën

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 18:15
Jonida Vokshi

Jonida Vokshi dhe Besnik Krapi u bënë prindër një vit më parë, kur mirëpritën në këtë botë vajzën e tyre, Emin. Jonida rrallëherë ka folur publikisht për jetën e saj private dhe në intervistën e fundit e kuptuam sa e ndjeshme është ajo kur bëhet fjalë për këtë temë. Në një rrëfim në emisionin “E Ardhmja është vajzë” ajo nuk mundi t’i mbante lotët ndërsa tregonte momentin kur po sillte në jetë të bijën.

“Në momentin që Emi po tentonte të vinte në këtë botë dhe unë mes gjithë vështirësive për ta ndihmuar, dëgjoj që doktoresha ime tha se Emit i ishte lidhur kordoni. Ishte e vështirë të dilte, sepse ishte kordoni që e tërhiqte sërish dhe mbaj mend që doktoresha më thoshte se është gjithçka në dorën tënde. Në kokën time nonstop qarkullonte vetëm ideja ‘a do të mundem’. Aty kam kuptuar se çfarë do të thotë që jeta jote të jetë e parëndësishme”, -tha aktorja mes lotësh. "Por ia dola! Dhe kur e kam dëgjuar të qajë, aty thashë që çfarëdolloj momenti që të vijë në jetën time… të paktën ajo që kemi ne në dorë është të bëjmë maksimumin. Të tjerat janë të shkruara. Thjesht na ngelet të shpëtojmë një njeri me aq sa mundemi. Kur e shoh tani, jam njeriu më i lumtur në botë.”

Jonida e quajti Emin suksesin më të madh të jetës së saj.

Ajo shtoi se dëshiron ta zgjerojë familjen në të ardhmen, por Emi ka për të mbetur gjithmonë dashuria e parë, sepse ia fali e para ndjesinë si nënë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat