Shqipdona Janova: Këngëtarët e të gjitha rrymave të këndojnë live

Mediale Vip

Shqipdona Janova: Këngëtarët e të gjitha rrymave të këndojnë live

Nga: Hava Orana Xhukolli Më: 14 gusht 2021 Në ora: 10:47
Shqipdona Janova

Në fillimet e saj e njihnim si vajza e këngëtares së madhe Afërdita Demaku. Por tani, vetë Shqipdona ka sjellë disa këngë dhe ka ndërtuar karrierë në vete.

E ëmbël, e bukur dhe shumë e talentuar, Shqipdona tashmë ka realizuar disa këngë, qoftë solo apo edhe bashkëpunime. Ndërkaq brenda këtij viti është në përgatitje edhe të disa projekteve të reja.

Nga këto projekte, ka zbuluar për “Bota sot” se disa janë bashkëpunime dhe disa këngë tjera solo.

I quajnë si ‘binjake’, kur shfaqën nënë e bijë në skenë, por Shqipdona jo vetëm bukurinë, por ka trashëguar edhe talentin për muzikën. Përveç muzikës, ajo ka përfunduar edhe studimet në Amerikë në nivelin bachelor, derisa ato master thotë se do t’i vazhdojë në Angli.

Në këtë intervistë për gazetën tonë, ajo ka folur për planet, për pandeminë e për studimet e saj jashtë Kosovës.

Image

 

“Bota sot”: Si e kaluat kohën e pandemisë?

Shqipdona Janova: Në muajt e parë të pandemisë, isha në studime në Amerikë. Nuk e vëreja aspak ndryshimin sepse tërë kohës isha e mbyllur në dhomë me mësime e obligime nga universiteti. Diplomova në maj të 2020. Pastaj pas shumë vështirësive me fluturime për t'u kthyer në Kosovë, më në fund arrita që në korrik t'i bashkohem familjes time në Kosovë. Që nga ajo kohë e deri më tani, kemi qenë tërë kohës së bashku, duke planifikuar e punuar për projekte të reja në muzikë dhe në jetë. Jemi munduar të jemi aktiv me sport, me lexim, me këndim dhe thjeshtë të jemi mirënjohës që të gjithë jemi mirë me shëndet. Ajo është gjëja më e rëndësishme.

“Bota sot”: Sa ju ka dëmtuar pandemia juve si muzikante?

Shqipdona Janova: Unë kam qenë aktive me sjelljen në treg të këngëve të reja. Qoftë këngë solo, vetëm e imja, qoftë në bashkëpunim me nënën dhe vëllain tim. Projekte që më të vërtetë janë pëlqyer dhe vlerësuar nga publiku, ashtu siҫ kemi pasur dëshirë unë dhe familja ime. Më ka munguar eksperienca e të kënduarit dhe performuarit live përpara publikut, por sa herë që e kemi ndjerë nevojën të këndojmë live, kemi kënduar në shtëpi. Vëllai im ka luajtur në instrumente, unë dhe mami kemi kënduar, video të cilat disa i kemi postuar edhe në youtube dhe në rrjete sociale. Si person jam mjaft realiste dhe pozitive. Nuk më pëlqen të mendoj për gjëra negative. Mundohesha të mendoja dhe lutesha që jeta të kthehej në normalitet për të gjithë. Ka njerëz që më të vërtetë kanë vuajtur shumë dhe kanë pasur raste të rënda në familje, prandaj nuk mund të bëhesha egoiste dhe të mendoja për veten.

Image

 

“Bota sot”: Cili do të jetë projekti i ri më i përafërt për ju?

Shqipdona Janova: Kam shumë plane për këngë të reja që do të vijnë deri në fund të 2021-ës. Qoftë këngë vetëm të miat, qoftë bashkëpunime. Nuk jam e sigurt cili projekt do të vij i pari.

“Bota sot”: Si qëndroni me studime në Amerikë?

Shqipdona Janova: I kam përfunduar studimet Bachelor në Amerikë me suksesin që e kam dëshiruar dhe jam mjaftë e kënaqur me veten. Në shtator do t'i filloj studimet master në Angli.

Image

 

“Bota sot”: A mendoni të sjellni ndonjë projekt të ri pa nënën tuaj?

Shqipdona Janova: Kam disa këngë të miat solo, kënga e fundit që e solla vetëm ishte balada "Ani ti gabo". Së shpejti, do të vij edhe një këngë tjetër solo.

“Bota sot”: Pse keni zgjedhur të ndjekni rrugën e nënës tuaj në muzikë?

Shqipdona Janova: Më pëlqen të dëgjoj muzikë dhe më pëlqen të këndoj. Muzika dhe të kënduarit më bëjnë të ndihem mirë, e lirshme, më e hapur dhe më e afërt me njerëzit. Ndjenja e të kënduarit live përpara publikut dhe dashuria që të japin është një ndër ndjenjat më të mira dhe inspiruese për jetë për mua. Mendoj që jam shumë e mirë në këtë profesion, ka gjithmonë për të mësuar, por jam shumë mirë dhe rehat në këtë profesion.

Image

 

“Bota sot”: A jeni të gjithë familja pjesë e muzikës?

Shqipdona Janova: Mami dhe unë këndojmë, vëllai është këngëtar, instrumentalist, tekstshkrues dhe një kompozitor i ri që po e bën këtë punë me pasion të madh. Babi është menaxher i të treve, e kupton muzikën dhe këtë profesion në detajin më të vogël dhe i kryen të gjitha punët menaxheriale. Jemi shumë me fat që e kemi.

“Bota sot”: Vlerësimi juaj për muzikën që bëhet në Kosovë?

Shqipdona Janova: Duke e përjashtuar mamin, me të cilën, jo që është nëna ime, por më të vërtetë punon fort që të sjell vetëm projekte të mira, duke shprehur vetëm profesionalizëm dhe duke veҫuar mesazhet e këngëve që i sjellë që sado pak të ndihmojnë popullin për t'i parë gjërat dhe jetën më me qartësi. Unë dhe vëllai mundohemi të ndjekim të njëjtën rrugë. Në Kosovë janë duke u zhvilluar rryma të ndryshme të muzikës. Në secilën rrymë, ka këngë më të vërtetë të mira dhe disa më pak të mira. E rëndësishme është se njerëzit kanë zgjedhje të shumta të vendosin se çfarë duan të dëgjojnë. Thjeshtë do të doja që muzika të trajtohej barabartë për të gjithë, këngëtarët e të gjitha rrymave të këndojnë live, aty është emocioni i vërtetë dhe vlerësimi i këngëtarëve të vërtetë.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat