Këngëtarja Taylor Swift dhe aktori Hugh Jackman mund të thirren edhe zyrtarisht si dëshmitarë në gjyqin mes aktorëve Blake Lively dhe Justin Baldoni.
Një burim i afërt me rastin tha për Daily Mail, se ftesa pritet të dorëzohet që në fillim të kësaj jave dhe Taylor thuhet se tashmë është në pritje të njoftimit zyrtar.
Jackman është përfshirë në të gjithë rrëfimin për shkak të miqësisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me aktorin Ryan Reynolds, me të cilin luan në filmin “Deadpool and Wolverine”.
Baldoni ka akuzuar më parë Reynolds se e ka tallur në filmin "Deadpool" dhe duke pasur parasysh lidhjen e Reynolds me Jackman, pritej që edhe ai të bëhej pjesë e sagës ligjore.
"Hugh do të duhet të dëshmojë nëse çështja shkon në gjykatë. Nuk ka asnjë mundësi që ai të ikë me të," tha burimi.
Më herët mediat raportuan se Lively i ka kërkuar falje Swift për përfshirjen e saj në konfliktin me Baldoni. Përkatësisht, në padinë e tij, me vlerë 400 milionë dollarë, Baldoni pretendon se Lively ka përdorur popullaritetin e Taylor për të konsoliduar më tej kontrollin mbi prodhimin e filmit "It Ends With Us".
Kënga "My Tears Ricochet" nga albumi Folklore e Taylor u përdor në trailerin zyrtar të filmit në fjalë.
Lively ishte e para që ngriti padi në dhjetor 2024, duke pretenduar se Baldoni kishte zhvilluar një "fushatë shpifjeje" kundër saj, me akuza për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të filmit "It Ends With Us", raporton KosovaPress.
Baldoni u përgjigj me kundërpadi për shpifje, duke kërkuar 400 milionë dollarë dëmshpërblim. Padia drejtohet jo vetëm kundër Lively, por edhe kundër Ryan Reynolds dhe gazetës New York Times, e cila botoi një artikull në lidhje me akuzat e saj.