Fansat syshqiponjë të Taylor Swift-it vunë re menjëherë se Travis Kelce nuk e ndiqte më në Instagram Ryan Reynolds prej pak ditësh.
Ryan megjithatë, duket se nuk është përditësuar ende me këtë zhvillim dhe e ndjek ende sportistin në Instagram.
"Ata filluan ta ndiqnin njëri-tjetrin dhe pëlqenin postimet e tyre që para dramës," shkroi një nga fansat, duke iu referuar gruas së Reynolds, Blake Lively-t, dhe gjithë luftës së saj ligjore me Justin Baldoni-n.
Swifties, fansat e Taylor Swift, së pari vunë re se Reynolds dhe Kelce e ndiqnin njëri-tjetrin që nga gushti i vitit 2023, pak pasi lojtari i NFL-it filloi lidhjen e tij me Swift-in.
Reynolds është mik me Swift prej vitesh, pasi Lively dhe ajo kanë qenë mikesha të afërta që nga viti 2015. Swift madje ka vendosur tituj të këngëve të saj sipas emrave të fëmijëve të çiftit ndër vite.
Që kur filloi historia e dashurisë së saj dhe Kelce-t, çifti janë takuar dy herë në New York City me Lively dhe Reynolds.
Megjithatë, në fillim të këtij viti u përhapën thashethemet se Swift dhe Lively përjetuan një përplasje miqësie në mes të gjithë dramës së aktores me bashkë-yllin dhe regjisorin e saj të "It Ends With Us", Justin Baldoni-n.
Lively e paditi Baldoni-n në dhjetor të vitit 2024 dhe kur ai paraqiti një kundër-ankesë muajin pasardhës, ai vendosi dhe emrin e Swift-it në padinë e tij. Ai përfshiu një mesazh nga Lively që i referohej Reynolds dhe Swift-it si "dragonjtë" e saj që e mbronin atë në industri.
U bë e ditur se Swift, e cila thuhet se do të thirret në çështjen gjyqësore, ndihej e "përdorur" për mesazhin e supozuar.
Megjithatë, në fillim të këtij muaji qarkulluan zëra se Blake i ka kërkuar një falje "të sinqertë" Swift-it dhe çiftet i kanë lënë hatërmbetjet pas. Veprimi i fundit i Kelce-t ama, e hedh poshtë këtë pretendim.