Beteja ligjore mes Blake Lively dhe Justin Baldoni vazhdon, raporton E! News.
Në përballjen e tyre më të fundit, ekipi i Lively ka hedhur poshtë pretendimet e ekipit të Baldonit se vendimi i saj për të tërhequr akuzat për shkaktim të qëllimshëm dhe të pakujdesshëm të shqetësimit emocional ka lidhje me refuzimin e saj për të ndarë të dhëna mjekësore të ndërlidhura.
“Edhe një herë, kjo është një pjesë rutinë e procesit gjyqësor që po përdoret si një manovër për shtypin”, thanë avokatët e Lively, Esra Hudson dhe Mike Gottlieb, në një deklaratë për E! News. “Ne po bëjmë atë që bëjnë avokatët e gjyqit: po e përgatisim çështjen për gjyq duke e thjeshtuar dhe përqendruar atë; ata po bëjnë atë që bëjnë zakonisht: po kërkojnë me dëshpërim edhe një raund tjetër të lodhshëm mbulimi nga tabloidet”.
Ata shtuan: “Znj. Lively vazhdon të pretendojë se ka përjetuar shqetësim emocional, si pjesë e disa pretendimeve të tjera në padinë e saj, si ngacmimi seksual dhe hakmarrja, si dhe kërkon dëme të mëdha kompensuese për të gjitha pretendimet e saj”.
Një letër e paraqitur nga ekipi i saj më 2 qershor dhe e siguruar nga E! News, pretendon se ekipet ligjore të të dyja palëve ishin takuar përmes një telekonference dhe ishin dakorduar që këto pretendime të hiqeshin nga rasti — me “ndryshime të moderuara” nga pala e Lively, për të cilat thuhet se pala e Baldonit nuk kishte bërë asnjë kundërshtim apo shprehur shqetësim.
Megjithatë, në letër thuhet se më vonë po atë ditë, pas telekonferencës, pala e Wayfarer Parties (që përfshin Baldonin, Wayfarer Studios dhe palë të tjera të paditura) paraqiti një kërkesë në gjykatë duke pretenduar se Lively po tërhiqte akuzat sepse refuzonte të jepte informacione mjekësore të rëndësishme për pretendimet e saj për shqetësim emocional.
Letra e Lively gjithashtu i kërkon gjykatësit Lewis Liman që këto pretendime të pushohen “pa paragjykim”, që do të thotë se ajo mund t’i ngrejë sërish në një moment të mëvonshëm, nëse dëshiron.
Në përgjigje, ekipi i Baldonit e kundërshtoi këtë kërkesë, duke shkruar në një dokument të siguruar nga Variety: “Me fjalë të tjera, znj. Lively dëshiron njëkohësisht: (a) të refuzojë të japë informacionin dhe dokumentet e nevojshme për të kundërshtuar se ajo ka pësuar ndonjë shqetësim emocional dhe/ose që përgjegjës për këtë janë palët e Wayfarer; dhe (b) të ruajë të drejtën për të paraqitur përsëri pretendimet për shqetësim emocional në një moment të panjohur në këtë apo ndonjë gjykatë tjetër, pasi të ketë përfunduar afati i zbulimit të provave”.
Megjithatë, ekipi i Lively e hodhi poshtë me forcë këtë pretendim. “Të sugjerosh se znj. Lively ka ‘refuzuar’ të paraqesë ndonjë informacion (qoftë në përgjigjet e saj të shkruara për zbulimin e provave, në konferencën mes palëve, apo në ndonjë moment tjetër pas saj), në lidhje me këto pretendime, është një përpjekje e qëllimshme për të mashtruar Gjykatën dhe audiencën e synuar për këtë pasqyrë të rreme: publikun”, shkruan ekipi i saj në letrën e 2 qershorit, shkruan kosovapress.
E! News është në pritje të një komenti nga ekipi ligjor i Baldonit.