Sipas videove të shpërndara në rrjete sociale, reperi Bob Vylan udhëhoqi turmat në Festivalin Glastonbury me thirrjet: “Liri, liri për Palestinën” dhe “vdekje, vdekje për ushtrinë izraelite. Artisti performoi gjithashtu para një ekrani që shfaqte një mesazh që shkruante: “Kombet e Bashkuara e kanë quajtur gjenocid.”
Në një video të shpërndarë gjerësisht, Vylan dëgjohet duke thënë: “Nga lumi deri në det, Palestina duhet të jetë, do të jetë, InshAllah, do të jetë e lirë.” Shprehja “nga lumi deri në det” i referohet tokave midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe dhe është përdorur prej dekadash.
Përdorimi i saj u përhap me shpejtësi në rrjete sociale pas sulmeve terroriste të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi dhe pas fushatës ushtarake të mëvonshme izraelite në Gaza.
“Vizat për Bob Vylan dhe grupin e tij u anuluan pas fjalimeve plot urrejtje në Glastonbury,” tha zëvendëssekretari i Departamentit të Shtetit, Christopher Landau, në një deklaratë.
Në një postim në Instagram me mbishkrimin “Thashë atë që thashë”, Bobby Vylan tha se kishte marrë “mesazhe si mbështetjeje, ashtu edhe urrejtjeje” pas performancës. “ T’u mësojmë fëmijëve tanë të flasin hapur për ndryshimin që duan sepse kjo është e vetmja mënyrë që ta bëjmë këtë botë një vend më të mirë”, shkruhej në postim.
Thirrjet e Bob Vylan në festival kanë shkaktuar gjithashtu kritika. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se “nuk ka asnjë justifikim për këtë lloj gjuhe të tmerrshme urrejtjeje”. Ambasada izraelite në Mbretërinë e Bashkuar deklaroi gjithashtu se ishte thellësisht e shqetësuar nga ajo që e quajti retorikë “nxitëse dhe plot urrejtje” në festival.
Bob Vylan ka planifikuar një turne në SHBA më 24 tetor me koncerte në Seattle, Salt Lake City, Denver, St. Louis, Chicago, Minneapolis, Detroit, Boston, New York, Philadelphia, Washington D.C., Atlanta, Nashville, Dallas, San Diego, San Antonio dhe Los Angeles.