Nëna e aktorit Matthew Perry, Suzanne Morrison, ka folur publikisht për asistentin personal të aktorit, Kenneth Iwamasa, pak para dënimit të tij në rastin e vdekjes së yllit të serialit “Friends”.
Matthew Perry u gjet i vdekur në vaskën me ujë të nxehtë të shtëpisë së tij më 28 tetor 2023, në moshën 54 vjeç. Shkaku i vdekjes iu atribua “efekteve akute të ketaminës”.
Sipas Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, asistenti i tij i dha aktorit injeksione të përsëritura të ketaminës pa trajnim mjekësor, përfshirë edhe ditën e vdekjes së tij.
Në një letër të paraqitur në gjykatë, Suzanne Morrison përshkruan se si familja besonte se asistenti i djalit të saj ishte një burrë që e kuptonte betejën e tij me varësitë dhe do ta mbronte atë.
“Puna e tij më e rëndësishme ishte të ishte kujdestari i Matthew në luftën e tij kundër varësisë”, shkroi ajo. “Por në vend që ta mbronte, ai lehtësoi përdorimin e paligjshëm të drogës, gjeti furnizues dhe ia dha vetë injeksionet, pavarësisht se nuk kishte asnjë lloj trajnimi”.
Ajo zbuloi gjithashtu se pas vdekjes së të birit, Iwamasa mbeti pranë familjes, duke u dërguar këngë dhe madje duke i ndihmuar me udhëzime për në varrezat ku ishte varrosur aktori. Ajo pretendon se ai këmbënguli të fliste në funeral dhe u paraqit si dikush që po përpiqej ta shpëtonte.
“Ne i besuam një njeriu pa ndërgjegje dhe djali im pagoi çmimin”, vuri në dukje ai.
Morrison përshkroi gjithashtu momentin tronditës pas vdekjes së djalit të saj, duke shkruar:
“Dhe papritmas, një natë, kishte vetëm një trup të shtrirë në barin e ftohtë të oborrit të tij. Helikopterët fluturonin sipër kokës për një fotografi të fëmijës tim të vdekur, ndërsa unë qëndroja në rrugë duke kërkuar një batanije për ta mbuluar”.
Kenneth Iwamasa është deklaruar fajtor për konspiracion për shpërndarjen e ketaminës që rezultoi në vdekje dhe përballet me deri në 15 vjet burg.
Dënimi i tij pritet më 27 maj. Çështja përfshin gjithsej pesë persona, përfshirë mjekë dhe furnizues ilaçesh, të cilët u akuzuan për shpërndarje të paligjshme të ketaminës tek aktori.