YouTube: Bebe Rexha shkruan histori në Belgjikë, bëhet artistja e parë amerikane e popit që performon në Tomorrowland

Mediale Vip

YouTube: Bebe Rexha shkruan histori në Belgjikë, bëhet artistja e parë amerikane e popit që performon në Tomorrowland

Më: 24 korrik 2026 Në ora: 18:19
Bebe Rexha

Bebe Rexha vazhdon të shënojë suksese në skenën ndërkombëtare, teksa kësaj radhe ka marrë një vlerësim të veçantë nga vetë gjiganti i videove, YouTube.

Platforma ka publikuar një postim në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, duke ia dedikuar artistes shqiptaro-amerikane debutimin e saj në Tomorrowland, një prej festivaleve më të mëdha dhe më prestigjioze të muzikës elektronike në botë, që mbahet çdo vit në Belgjikë.

Në mbishkrimin e fotografisë, YouTube thekson se Rexha po shkruan histori si artistja e parë amerikane e muzikës pop që ngjitet për herë të parë në skenën e këtij festivali.

"Duke bërë histori në Belgjikë 🇧🇪. Bebe Rexha bëhet ylli i parë amerikan i muzikës pop që debuton në Tomorrowland. Ndiqni premierën botërore LIVE në transmetimin e Freedom Stage në orën 19:00 (BST)", shkruhet në postimin e llogarisë zyrtare të YouTube në Instagram.

Ky vlerësim vjen edhe si dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë mes YouTube dhe artistes, pasi kanali zyrtar i Bebe Rexhës në këtë platformë është ndër më të ndjekurit në mesin e artistëve shqiptaro-amerikanë, duke grumbulluar miliarda shikime me projektet e saj muzikore ndër vite.

Bebe Rexha pritet të ngjitet në skenën e Tomorrowland në orën 20:00, ku do të performojë përpara mijëra adhuruesve të muzikës elektronike nga e gjithë bota.

Artistja po kalon një periudhë mjaft të suksesshme edhe në karrierën e saj si artiste e pavarur. Vetëm një muaj më parë ajo publikoi albumin e saj më të ri, "Dirty Blonde", i cili shënon projektin e parë të realizuar pa një shtëpi diskografike, pas përfundimit të bashkëpunimit me Warner Records vitin e kaluar.

Me albumin e ri dhe tashmë edhe debutimin në Tomorrowland, Bebe Rexha po dëshmon se vazhdon të mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës pop në arenën ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat