Gjykata në Paris i ka dhënë Kim Kardashian një euro dëmshpërblim për grabitjen e armatosur që iu bë në vitin 2016, shumë kjo që ishte kërkuar vetë nga ylli amerikan.
Vendimi u mor të martën, ndërsa sipas avokatit të përfshirë në çështje, një dëmshpërblim prej një euroje iu dha edhe stilistes Simone Bretter, e cila ndodhej e pranishme gjatë grabitjes.
Kardashian ishte shënjestra e një sulmi më 2 tetor 2016, gjatë Javës së Modës në Paris, teksa qëndronte në Hotel de Pourtales.
Dy grabitës, të maskuar si oficerë policie, hynë me forcë në apartamentin e saj, e lidhën me lidhëse plastike dhe shirit ngjitës dhe i vodhën bizhuteri me vlerë më shumë se gjashtë milionë dollarë. Mes sendeve të grabitura ishte edhe një unazë diamanti që Kardashian e kishte mbajtur në shfaqjen e Givenchy atë mbrëmje.
Vitin e kaluar, një gjykatë shpalli fajtorë tetë persona për rolin e tyre në grabitje, të cilën Kardashian e kishte përshkruar si përvojën më të tmerrshme të jetës së saj.
Për shkak të moshës së tyre të shtyrë, të pandehurit u bënë të njohur në Francë si “banditët gjyshër”. Gjashtë prej tyre ishin mes moshës 60 dhe 70 vjeç në kohën e gjyqit.
Ata u akuzuan për grabitje të armatosur, rrëmbim personi, anëtarësim në një grup kriminal dhe vepra të tjera. Koha e kaluar në paraburgim para gjyqit u përfshi në dënimin e tyre, ndaj asnjë prej të dënuarve nuk u kthye në burg dhe askush nuk paraqiti ankesë.
Gjykata i dha ish-recepsionistit të hotelit 109,516 euro, ndonëse ai kishte kërkuar 550 mijë euro dëmshpërblim dhe interesa, duke pretenduar se ishte traumatizuar nga grabitja. Hotelit iu akorduan 50 mijë euro.
“Jam thellësisht mirënjohëse ndaj autoriteteve franceze që sollën drejtësi në këtë rast. Ndërsa nuk do ta harroj kurrë atë që ndodhi, besoj në fuqinë e përparimit personal dhe përgjegjësisë dhe lutem për shërim për të gjithë”, tha Kim Kardashian pas vendimit.