Motra e Sahara Ray publikon mesazhin prekës pas vdekjes së modeles 34-vjeçare
Ruby Ray, motra e vogël e modeles dhe sipërmarrëses Sahara Ray, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale pas vdekjes së saj në moshën 34-vjeçare.
Ruby e përshkroi atë si një person plot jetë, inteligjente, të dashur dhe me një shpirt të jashtëzakonshëm.
“Është mizore ta duash dikë kaq shumë dhe më pas të mos dish ku ta çosh gjithë atë dashuri”, shkroi ajo, duke shprehur dhimbjen e madhe për humbjen.
Sahara ishte vajza e sërfistit profesionist Tony Ray dhe krijuese e markës së rrobave të banjës Sahara Ray Swim. Ajo u bë e njohur edhe për shkak të raportimeve për një lidhje me këngëtarin Justin Bieber në vitin 2016.
Në vitin 2024, modelja bëri të ditur se ishte diagnostikuar me sindromën Guillain-Barré, një çrregullim i rrallë neurologjik. Në fillim të këtij viti, ajo u bë nënë për herë të parë, duke sjellë në jetë vajzën e saj, Snow.