Dua Lipa ka zbuluar se fustani i saj i dasmës ishte i mbushur me "mesazhe thellësisht personale" të fshehta, përfshirë një qëndisje të qenit të saj.
Këngëtarja 31-vjeçare u martua me Callum Turner në Londër në muajin maj, përpara se të organizonte një festë të madhe dasme në Itali muajin pasues. Ajo e përshkroi fustanin "Chanel Haute Couture", të cilin e veshi për dasmën e dytë, si "gjënë më të bukur" që kishte parë ndonjëherë, raporton KosovaPress.
Fustani u krijua nga drejtori artistik i Chanel, Matthieu Blazy, dhe këngëtarja e hitit "Levitating" pranoi se veshja e këtij krijimi, i pari i tij për shtëpinë e modës në fushën e dasmave, ishte "një nga momentet më të paharrueshme të jetës së saj".
Gjatë fjalës së saj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve "Innovator Awards" të revistës WSJ, ndërsa nderonte Matthieu së bashku me A$AP Rocky-n, Dua e vlerësoi stilistin për krijimin e "gjësë më të bukur që ajo ka parë dhe ka veshur ndonjëherë".
Dua i dha stilistit besimin e saj të plotë për dizajnimin e fustanit, i cili ishte zbukuruar me kristale dhe 480 mijë rruaza, ndërsa përfshinte një bisht me pupla dhe një prerje të hapur në shpinë.
"Kur më pyeti se sa 'dramatike' e doja veshjen dhe sa pupla dëshiroja, unë thjesht u përgjigja: 'Po'."
Këto komente rreth fustanit të saj vijnë pasi këngëtarja e hitit "New Rules" kishte folur më parë për ditën "magjike" të dasmës së saj me Callum-in.
"Dita e dasmës ishte magjike. Morëm shumë këshilla, por vendosëm të ndiqnim vetëm dy prej tyre: ta përjetonim ditën sikur të ishim vetë të ftuar dhe të kërkonim vazhdimisht njëri-tjetrin mes turmës, duke mos e humbur kurrë njëri-tjetrin nga sytë. Në këtë mënyrë, kemi vërtet shumë kujtime së bashku”, tha Dua për Vogue Italia.
Dua tani shpreson të eksplorojë se "çfarë ndodh kur e gjen vërtet dashurinë" gjatë procesit të shkrimit të këngëve.