Këngëtari që sfidon moshën - Bota Sot
Këngëtari që sfidon moshën

Muzikë

Këngëtari që sfidon moshën

Nga: Ramazan Çeka Më: 28 janar 2019 Në ora: 06:30
Bashkim Alibali është një këngëtar shumë i njohur në Shqipëri.

Një shkrim i këtyre përmasave është si të thuash një korrnizë e vogël për ta përballuar hapsirën e portretit të këtij këngëtari kaq të veçantë, karrierën 50 vjeçare të këtij "rrebeli" të dashuruar me këngën dhe skenën, i cili gjithmonë me talentin e tij vetëm "korrniza" nuk ka pranuar.

Bashkim Alibali është një këngëtarë shumë i njohur në Shqipëri. Lindur në Tiranë dhe rritur në Shkodër. Ishte mjaft i ri kur erdhi në Shkodër dhe ruan shumë kujtime në rininë e tij me lidhjet miqësore, që kur ka filluar të këndojë me shokun e tij të rinisë Tonin Tërshana, si hobi rinie. Këndonin serenata në rrugët dhe rrugicat e Shkodrës, nën qiellin e pastër pranveror dhe nën dritën e vakët të llampave elektrike që ndriçonin në shtyllat prej druri.

Këtë shkrim po e filloj me një rrëfim të sinqertë e nostalgjik të Bashkimit: "BEST 10 NORTH 2018" Për herë të parë kam kënduar në shtëpinë e kulturës së qytetit të Shkodrës ku e pëlqyen zërin tim dhe më aprovuan të marr pjesë në festivalin e këngës së qytetit të Shkodrës. Zërin tim e zbuloj z.Nard Bushati i cili ishte drejtor i klubit të rinisë "Heronjtë e Vigut". Ai më hapi rrugën e skenës me thjeshtësi e me dashuri dhe më vjen keq që njerëz të tillë shpesh rrinë në heshtje".

Image

Jeta artistike e qytetit të Shkodrës ishte mjaft e pasur dhe e larmishme. Vetëm teatri "Migjeni" funksiononte si trupë profesioniste, por burimi që vazhdimisht e furnizonte me talente të rinj ishin trupat amatore të ndërmarjeve dhe institucioneve të qytetit. Në këto ujëra të pastra të këtij burimi u zbuluan shumë talente të ardhshëm, ku spikat edhe këngëtari simpatik, alegro e gjithmonë rinor Bashkim Alibali që punonte në uzinën e telave në Shkodër.

Shkëlqimin në jetën artistike, asnjë artist nuk mund ta bëjë i vetëm, pa bashkëpunimin e një stafi ku anëtarët plotësojnë njëri tjetrin. Në këtë kontekst Bashkimi pati fatin e madh të ketë përkrah personalitetet më të spikatur të muzikës dhe artit shkodranë si: i paharruari Bik Ndoja "Nderi i Kombit", Shyqyri Alushi, "Artist i Merituar", por edhe të planit të estradës si: i ndjeri Tano Banushi, Zyliha Miloti, Paulin Preka, Jolanda Shala, Gëzim Kruja, Zef Deda, etj.

Në moshën 17-vjeçare mori pjesë në festivalin e këngës të qytetit të Shkodrës, ku ishte dalja e parë në skenë me një publik të gjerë. Lëvizja artistike kulturore e atëhershme në qytetin e Shkodrës ka qenë shumë e gjallë. Ka pasur shumë aktivitete sidomos amatore. Jo vetëm Shtëpia e Kulturës, por ka pasur shumë ndërmarrje që organizonin estrada, festivale apo aktivitete të tjera.

Ishte viti 1969 kur Alibali filloi të aktivizohet me trupën e estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës. Pjesmarrja në këtë trupë përkon me shkuarjen në Tiranë me një aktivitet dhe kënga e parë që ka kënduar në sallën e Estradës së kryeqytetit ka qenë "Mes jush".

Image

Jeta e Bashkim Alibalit është lidhur mes Tiranës dhe Shkodrës. Ai ka një jetë interesante, mbushur me ngjarje, ku pasioni dhe këmbëngulja i kanë dhënë një vend të nderuar në radhët e këngëtarëve më të shquar shqiptarë. I qeshur dhe plot humor, ai ka ditur të ngrihet mbi çdo barrierë të kohës, ku magjia e zërit të tij ka qenë vetë çelësi i sukseseve të tij.

Si shumë këngëtarë bashkëkohës Festivali i 11-të e mënjanoi nga skena, por jo nga dëshira për këngën. Në biseda shokët shpesh e ngacmojnë për sqimën dhe rigorozitetin e tij në veshje dhe pamje. Eshtë ndoshta i vetmi këngëtar shqiptar që nuk ka dalë asnjëherë nga shtëpia pa e kontrolluar edhe një herë veten për paraqitjen e tij. Miqtë e tij janë kompozitorët, këngëtarët, autorët e teksteve me të cilët diskuton gjerësisht për këngën, rolin dhe pozicionin që ajo duhet të ketë në kulturën dhe shoqërinë e sotme shqiptare.

E pranojmë se jeta ka ndryshuar dhe është në zhvillim, por duhet të pranojmë se edhe kënga popullore shkodrane e vjetër duhet të ruhet dhe zhvillohet, pasi në të është shkrirë talenti, fantazia e shpirti i brezave të tërë krijuesish me emër dhe anonim, ndryshe nuk mund t’i themi më "Këngë shkodrane". Një ndër ata është edhe Bashkim Alibali, i cili herë pas here edhe në ditët tona na sjell perla të mrekullueshme që ndriçojnë me shkëlqimin e kësaj muzike të papërsëritshme. Megjithatë shkëlqimi i tij më i madh ka qenë në interpretimin e këngës së muzikës së lehtë.

Në një bisedë me këngëtarin Bashkim Alibali i qeshur e i qetë, jetën e përkufizon si një udhëtim, ku njeriu duhet të punojë për të gjetur vetveten, duke respektuar vlerat dhe shmangur të kundërtat, zbuluam disa detaje interesante për festivalet në RTSH, kur është ngjitur për herë të parë në skenë në festivalin e dhjetë me këngën "Stacioni i dashur".

Bashkim Alibali rrëfen: "Para provave të përgjithshme ma hoqën këngën për interpretim ekstravagant, mbasi unë bëja disa lëvizje që nuk i lejonte ajo kohë. Jo se i bëja me qëllim, por instiktivisht, pasi e ndjeja këngën. Mora rrugën për në Shkodër, por ishte Alfons Balliçi ai që bëri përpjekje të tjera që të rikthehesha dhe të ngjitesha në skenë. Atëherë më dhanë një këngë tjetër "Qyteti punëtor". U ngazëlleva. Ishte një moment i veçantë. E kalova me sukses. Nuk ishte e lehtë të merrje pjesë në një festival të tillë në atë kohë. Kishte shumë kërkesa nga ana profesionale.

Image

Pjesa e dytë kishte të bënte me ngjitjen në skenë. Moment magjik! Po realizohej ëndrra ime më e madhe, ëndrra që këngëtarët e asaj kohe e kishin në çdo hap të jetës. Kur hyra në skenë më dukej se të pranishmit më shihnin me mosbesim. Këmbët filluan të më dridheshin. Më dukej se zëri nuk do të më dilte. Kur filloi muzika magjia e saj sikur më zgjoi. Ai ishte lajmërimi që duhej të kontrolloja veten. Në fytyrë më erdhi një buzëqeshje e brendshme. E mblodha veten. Muzika hyrëse po më rregullonte gjithë atmosferën e brendshme. Kur erdhi momenti të filloja, emocionet i kisha flakur. Zëri erdhi i plotë, i qartë, i pastër, ashtu si e doja unë".

Më pas Alibali tregon për festivalin e 11-të në RTSH: "Mora pjesë me një këngë interesante për studentët. "Mbrëmja e fundit" titullohej kënga. Pra kur studentët mblidhen në natën e fundit, duke kujtuar shumë ditët e shkollës sepse të nesërmen do të shpërndaheshin. Teksti dhe muzika e Enver Shëngjergjit, nën orkestrimin e Aleksandër Lalos. Ishte një këngë e suksesshme, ku natën e parë të pranishmit më kthyen dy–tre herë. Ishte koha që studentët kishin ndikim në jetën kryeqytetase, por, çuditërisht kjo këngë nuk fitoi asnjë çmim! Megjithatë, dola i kënaqur nga festivali. Kënga ishte e bukur dhe u pëlqye, por të këqijat erdhën mbrapa. Ky festival u kritikua shumë. Këngëtarët më të mirë u kritikuan për tendenca borgjezo-revizioniste, për shfaqje të huaja, etj.

Edhe më vonë më kritikuan për ekstravagancë dhe kush? Njerëz që nuk e kishin parë fare festivalin. Pra, deri në vitin 1978, këndoja vetëm në estradën e ndërmarrjes këngë popullore, këngën e lehtë nuk e lëvrova. Më dukej vetja bosh, përfundon Alibali në rrëfimin e tij".

Bashkim Alibali rikthehet përsëri në skenë në Festivalin e 17-të dhe  përsëri mori pjesë me një këngë të Enver Shëngjergjit. Pas këtij Festivali ka marrë pjesë me ndonjë shkëputje në të gjitha festivalet në RTSH. Në festivalin e 20-të Alibali mori çmim të parë me këngën "Çel si gonxhe dashuria" me muzikë të Kotanit dhe tekst të Arben Dukës. Në eksperiencat e Alibalit përveç Festivaleve në RTSH, mund të veçojmë: "Kur vjen Pranvera" në vitin 1985, ku u vlersua me çmim të parë, i cili ishte si rezultat i të madhit Ferdinand Deda. "Në duart e nënës", kompozim i Gjergj Lekës. Ishte ndërhyrja e Ferdinand Dedës që kjo këngë të futej në konkurrim. Për artistin nuk kishte rëndësi rregulli, por arti.

Kënga "Në duart e nënës" veçohet nga të gjithë, ajo është bërë si këngë shtëpie, kjo këngë u bë popullore dhe tregoi se edhe një këngë e muzikës së lehtë mund të bëhet këngë masive. Bashkimi nëpër festivale dhe koncerte ka marrë edhe katër çmime të dyta dhe tre çmime të treta. Bashkëpunimet kryesore me kompozitorë dhe autorë tekstesh i ka pasur me Zhuljana Jorganxhi, Arben Duka, Betim Muço, ku nuk mund të lihet pa përmendur bashkëpunimi që vazhdon edhe sot e kësaj dite me mikun më të madh të të gjithë këngëtarëve, poetin e pashtershëm Jorgo Papingji. Sukseset e tij ia dedikon edhe kompozitorëve Gjergj Leka, Jetmir Barbullushi, Flamur Shehu, Vladimir Kotani, Edmond Zhulali, Sokol Marsi etj.

Nga viti 1988, deri në vitin 1990, Bashkim Alibali ishte Drejtor i Pallatit të Kulturës "Vasil Shanto" në Shkodër. Një institucion të cilin përpara tij e kishte drejtuar shkrimtari dhe poeti i njohur shkodran Bedri Islami. Edhe Bashkimi ashtu si paraardhësit e tij i vuri një rëndësi të madhe këtij institucioni, i cili merrej kryesisht me trupat amatore të ndërmarrjeve të qytetit dhe me talented e reja.

Kështu aktivitetet vazhduan njëri pas tjetrit duke organizuar edhe disa turne me trupën amatore të këtij Pallati në mbarë vendin. Vetëm në Tiranë kjo trupë ka dhën mbi 70 shfaqje dhe mbi 30 shfaqje në qytetet e tjera. 

Gjatë kohës që Bashkimi ka qenë drejtor i këtij institucioni, u plotësua me të gjitha instrumentët muzikore, me foni e ndriçim, me një skenë të madhe e cila në atë kohë plotësonte të gjitha kushtet e nevojshme, duke u bërë edhe skena e trupave amatore të ndërmarjeve, institucioneve dhe trupave që vinin nga fshati dhe rrethet. Niveli i organizimit të këtyre aktiviteteve jo vetëm gjallëronte jetën e qytetit, por shpesh konkuronte rdhe trupën profesioniste të Teatrit "Migjeni", sepse vetë institucionin e drejtonte njeriu i duhur, artisti i duhur.

Alibali e ka shumë për zemër muzikën e lehtë, por duke parë se në ambiente familjare këndohet më shumë kënga popullore, kjo tregon se ai është i dhënë edhe pas kësaj kënge. Për këtë ka ndjekur shembullin e këngëtarit të shquar të këngës popullore shkodrane Bik Ndoja, sot "Nderi i Kombit". Edhe tek kjo gjini kënge Bashkim Alibali i është përmbajtur këngës tipike shkodrane, por edhe të krahinave të tjera.

Në repertorin e e tij me këngë popullore shkodrane numërohen rreth 250 që ka kënduar Bashkim Alibali, ndërsa këngë popullore Shkodra ka me qindra.

I gjendur kudo ku ka aktivitete, Bashkimi mbetet këngëtari më i palodhur. Dhe pse lëviz kudo, dashuria për Shkodrën nuk i shterron kurr dhe kur shkon aty duket se frymëzimi i shtohet.

Bashkim Alibali jo vetëm në Shqipëri, por dhe në disa vende të botës ka dhënë koncerte: Në Angli, Greqi, Kanada, Austri, Gjermani, Itali, në shumicën e vendeve ku ka emigrantë shqiptarë. Vendi që i ka lënë më shumë përshtypje për nga pritja dhe brohoritjet ka qenë Greqia. Në këto koncerte këngët janë kënduar së bashku me Alibalin dhe shpeshherë të gjithë janë ngritur në këmbë. Në ambiente të tilla gjithmonë ka ndjerë diçka të veçantë. Në këto koncerte ka kënduar këngë popullore dhe këngë të muzikës së lehtë, duke pasur një repertor të zgjedhur si kënga "Në duart e nënës", "S’ma njohe zemrën", "Lule delet", "E imja Shota" të cilat kanë qenë më të kërkuarat.

Këngëtarët më të preferuar për Alibalin janë: Vaçe Zela, Bik Ndoja, Ibrahim Tukiçi, Fitnete Rexha, Naile Hoxha dhe shumë të tjerë. Për muzikën e lehtë Tonin Tërshana, shoku i tij i fëminisë, ndërsa shpërblimi më i madh që ka marrë si këngëtar janë duartrokitjet e shumta në koncerte dhe përshëndetjet e njerëzve në rrugë. Këto janë më shumë se çmimet.

Edhe pse nuk ka mbaruar për kompozitor, Bashkim Alibali si një nga këngëtarët emblematik në festivalet e RTSH prezantohet për të konkuruar në edicionin e 50-të, në vitin 2012 si kompozitor dhe interpretues me këngën "Merr me vete këngën time", me tekst të Jorgo Papingjit "Mjeshtër i Madh" e cila bën fjalë për këngën tonë shqiptare, duke u ngjitur në skenë pas 7 vitesh, pas duetit të suksesshëm me këngëtaren Irma Libohova titulluar "Taverna e vjetër".

Në festivalin e dytë të këngës popullore qytetare që RTSH organizoi në teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, ku morën pjesë dhjetë këngëtarë popullor të përzgjedhur nga trevat mbarëshqiptare, të cilët kënduan nga dy këngë secili, ku dhjetë këngët e kënduara në fillim ishin këngë të traditës të mirëfillta burimore, kurse dhjetë këngët që u kënduan më pas ishin të kompozuara enkas për këtë festival, kur u ngjit në skenë ashiku shkodran Bashkim Alibali me këngën e vjetër shkodrane "Hajde moj manush", solli entuziazmin e pashoq shkodran. Spektatorët në sallë duartrokisnin pa pushuar, duke kënduar edhe ata bashkë me këngëtarin. Kënga e dytë që u interpretua nga Bashkim Alibali, ishte një këngë e re titulluar: "Shkodra jeme, zemra jeme", me tekst të poetit të shquar Jorgo Papinxhi dhe muzikë të kompozitorit Davit Tukiçi, e cila ishte një ndër këngët më të suksesshme të këtij festivali që u prit me shumë ngrohtësi.

Tashmë, vlersimin më të madh që ka ky artist, është në këngën e tij, të vjetër e të re, këngë e cila nuk shteron kurrë, por vetëm skalitet e gdhendet më bukur se asnjëherë, duke depërtuar tek çdo shqiptar, nga veriu në jug e në çdo cep të botës ku flitet shqip. Karriera e tij artistike tha shumë, që si rrallë kush ka ditur të elektrizojë salla e mjedise të ndryshme, që ka ditur mjeshtërisht ta kthejë dhimbjen në gaz, që i dha kohës së shkuar koherencën e ditëve të ardhshme, por një jetë me këngën e tij është një histori që dekoratat e sotme nuk mund ta thonë.

Bashkimi është dhe mbetet këngëtari i të gjitha kohërave, duke qenë gjithmonë i dashur, elegant, simpatik, si dhe duke na dhuruar gjithmonë emocione me këngët e bukura me zërin e tij joshës.

Kohët e fundit publiku shkodran ndoqi me vëmendje koncertin që dha teatri "Migjeni", për të cilin duhen falenderuar përzemërsisht organizatorët dhe veçanërisht udhëheqsi artistik i këtij koncerti, mjeshtri Ilir Zoga, realizuesin drejtorin e këtij teatri z.Edmond Angoni si dhe Bashkinë Shkodër që bënë të mundur edhe pjesmarrjen e këtij artisti shkodran në vendlindjen e tij. Publiku sa u gëzua njëherësh edhe u permallua.

Në Festivalin "Kënga ime" organizuar këtë vit nga TV Klan, Bashkim Alibali u vlerësua me çmimin e karrierës. 

Mendoj se veç një shkrim, është shumë pak për të promovuar dhe treguar gjithë punën dhe krijimtarin 40 vjeçare të këtij artisti, që solli shumë e shumë këngë të bukura, duke u vlersuar edhe me çmime të ndryshme, të cilat do të mbeten dhe do ta mbajnë të gjallë këngën e bukur shqipe.

Këngët e Bashkim Alibalit nuk mbeten vetëm për Shkodrën por mbeten për të gjithë shqiptarizmën. Ai është krenari e artit dhe muzikës shqiptare. Mirënjohje vlerave të tij për promovimin e imazhit më të mirë të traditës historike, kulturore e patriotike të Shkodrës tonë e mbarë kombit shqiptar, djepit që e rriti dhe Shkodrës që e frymëzoi. Vlerat e këtij këngëtari të njohur na bëjnë krenar për trashëgiminë e shkëlqyer që e ka pasuruar me zërin e tij të dashur dhe këngët e bukura të arkivës më të mirë të artit shqiptar.

Bashkim Alibali edhe sot e kësaj dite është aktiv dhe si i tillë nuk përton të marrë pjesë edhe në krijimtari të reja, të cilat ai më shumë se askund i kërkon, i realizon dhe i interpreton në qytetin e tij të dashur në Shkodër. Në këtë kontekst mund të përmendim edhe dy këngë të mrekullueshme titulluar: "Andërr e vjetër" dhe "Don Zhuan".

Të gjitha këto vlera u pasqyruan në naten finele të "BEST 10 NORTH 2018" në skenën e Teatrit "Migjeni", ku dashamirësit e artit shkodran, dashamirësit e sportit shkodran, dashamirësit e përparimit të këtij qyteti kaq të mrekullueshëm, votuan më të mirët e këtyre fushave dhe unë në shkrimin tim veçova këtë këngëtar të mrekullueshëm që mund të plaket, por me zërin e tij do të mbetet përherë ri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...