Në grevë të përgjithshme hyjnë edhe punëtorët e administratës së Prishtinës

Prishtina

Në grevë të përgjithshme hyjnë edhe punëtorët e administratës së Prishtinës

Më: 25 gusht 2022 Në ora: 13:34
Foto ilustrim

Grevës së përgjithshme të iniciuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i janë përgjigjur edhe punëtorët e Administratës Komunale të Komunës së Prishtinës.

E mbarëvajtjen e grevës e kanë vëzhguar nga afër edhe anëtarët e Këshillit Grevist të BSPK-së, të shoqëruar nga anëtarët e Këshillave Greviste të Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së.

Ahmet Gashi kryetari i Shoqatës Sindikale në komunën e Prishtinës u shpreh se grevës së përgjithshme i janë përgjigjur edhe shërbyesit civil të kësaj komune, dhe se gjithçka po shkon mirë.

“Greva është duke shkuar mirë dhe mbarë. Shumica e shërbyesve civil të komunës të Prishtinë na janë përgjigjur, kështu që jemi në grevë. Greva është duke vazhduar dhe është shumë mirë duke shkuar”, tha ai.

Ali Gashi kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës u shpreh se kjo grevë ka ardhur si rezultat i pakënaqësisë së shërbyesve civil për mënyrën se si po trajtohen nga Qeveria e Kosovës.

Ai renditi disa nga kërkesat e tyre që po synojnë t’i realizojnë përmes kësaj greve.

“Qeveria nuk ka gjetur kohë apo nuk ka pasë disponim që t’i dëgjoj kërkesat tona të cilat konsideroj se janë kërkesa të ligjshme. Kërkesa jonë ka qenë në mënyrë konsistente hartimi sa më parë dhe fillimi sa më parë i zbatimit të ligjit të pagave i cili që 1 vit zvarritet nëpër sirtarë. Si kërkesë tjetër jo e parëndësishme, por konsideroj se përpos rëndësisë është në raportin human që ne kemi kërkuar vazhdimisht të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit mbi skemat pensionale, konkretisht eliminohet kriteri diskriminues prej 15 viteve dhe tu pranohet të gjithëve stazhi i punës të larguar dhunshëm nga ish regjimi i Serbisë”.

“Si kërkesë tjetër që ka qenë edhe kërkesa për fillimin e zbatimit të ligjit të sigurimeve shëndetësore. Duke parë situatën me të cilën jemi dhe duke parë situatën ekonomike së fundmi dhe çmimet që pothuajse janë marramendëse ka dal si imperativ i kohës edhe të shihet mundësia deri në fillim të zbatimit të ligjit të pagave t’i ndahet 100 euro një shumë për të gjithë të punësuarit zyrtarëve publik të Kosovës”, tha Gashi, shkruan KP, transmeton Klankosova.tv.

Lidhur me këtë grevë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë dje se nuk është koha e kërcënimeve dhe bojkoteve nga ana e sindikatave dhe punëtorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat