Banorët e ‘Arbërisë’ ankohen për mungesë të autobusëve të Trafikut Urban

Prishtina

Banorët e ‘Arbërisë’ ankohen për mungesë të autobusëve të Trafikut Urban

Më: 5 nëntor 2023 Në ora: 08:08
Foto ilustrim

Që nga paslufta, banorët e lagjes "Arbëria", në Prishtinë, përballen me mungesë të transportit publik. Në këtë lagje, qytetarët thonë se mund të udhëtojnë vetëm me dy linja private. Ata deklarojnë se për shkak të mbipopullimit në këtë zonë, këto dy linja janë të pamjaftueshme.

Shkallët e lagjes Arbëria në Prishtinë, janë të vetmet që Bajram Malokun e dërgojnë më shpejt në qendër të qytetit. Kjo pasi, në mungesë të transporti publik, është e vetmja zgjidhje që thotë se kanë ai dhe banorët e kësaj lagjeje. Madje autobusët e trafikut urban nga kjo lagje, mund t'i shohin vetëm nga larg.

“Ne i falënderojë qe na kanë bë të mundshme që pensionistët të mos paguajnë biletat. Por në këtë pjesë të Dragodanit, mungojnë. Një kohë nuk ka kishte banor tashme është mbipopullua dhe nevoja është më e madhe për të gjithë...", thotë Maloku.

Edhe Imrane Ahmeti, banore tjetër e kësaj lagjeje, thotë se po hasin në vështirësi në mungesë të trafikut urban.

“Shumë keq është me transport, nuk ka stacione të autobusëve as autobusë. Me makina kur dalim, nuk kemi parkingje e këndej nuk ka autobusë. Shume problem”, thot ajo.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu, njoftoi për ri-organizimin dhe reformat në transportin publik që parasheh shtimin e linjave të reja.

“Do bëhet organizimi dhe shtimi i linjave në zonat të cilat nuk kanë qenë të përfshira si në lagjen, Arbëria, Kalabria, Prishtina e re, dhe shumë zona tjera. Po ashtu, me shtim të linjave të reja pritet të përfshihet edhe pjesa rurale e gjithë kryeqytetit”, tha ai.

Musli tha se me ardhjen e 161 të autobusëve, pritet të përfshihet çdo cep i kryeqytetit sipas planit të mobilitetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat