Transformimi i tulltores, Komuna e Prishtinës premton të nisë brenda vitit

Prishtina

Transformimi i tulltores, Komuna e Prishtinës premton të nisë brenda vitit

Më: 23 mars 2025 Në ora: 21:34
Foto nga vendngjarja

Komuna e Prishtinës po shpreson që brenda këtij viti të nisë punimet në projektin e transformimit të hapësirave të tulltores. Nga Vetëvendosje në Prishtinë, nuk besojnë që projekti do të nisë brenda këtij mandati. Ky projekt ishte prezantuar marsin e vitit të kaluar, derisa ishte thënë se transformimi i tulltores në një qendër arti, kulture e teknologjie, do t`i japë shpirt të ri kryeqytetit, duke e rivitalizuar gjithë zonën e Kodrës së Trimave.

Në marsin e vitit të kaluar, u prezantua projekti i transformimit të hapësirave të tulltores në kryeqytet. Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, kishte paralajmëruar që shpejt nis jetësimi i projektit. Por, kur pritet të nisin punimet në këtë projekt. Nga komuna thonë se shpresojnë që punimet të nisin brenda këtij viti.

“Sa i përket projektit të tulltores, siç e keni ndjek edhe nga viti i kaluar është bërë prezantimi nga ekspertët që kanë marrë pjesë në analizën e këtij projekti, ka përfunduar projektimi, tashmë mbetet vetëm të prokurohet dhe të vijohet me punët e tjera Të filloj brenda këtij viti”, tha Donat Lushaku, zëdhënës i komunës së Prishtinës.

Nga Vetëvendosje ne Prishtinë thonë se nuk besojnë që punimet do të nisin brenda këtij mandate.

“Në rastin e tulltores, ajo është pronë e komunës. Nuk është pronë e kurrkujt tjetër. Nëse kryetari Rama, ia nis të punojë, ata duhet ta çojnë deri në fund se aty nuk ia ndalë punën kurrkush. Edhe te rasti I tulltores, unë besoj që as nuk ka për t‘ia nisur këtij projekti gjatë këtij mandati, për shkak se duhet çuar deri në fund, e ky asnjë projekt nuk është duke  e çuar deri në fund, prej këtyre që mund ta çojnë deri në fund, as nuk po fillon. D.m.th. i ka nis veç projektet që e dinë që kanë për t’u bllokuar”, tha Petrit Reçica, asamblist i VV-së në Prishtinë.

Nga kryetari i Prishtinës ishte thënë se transformimi i tulltores në një qendër arti, kulture e teknologjie, do t'i japë shpirt të ri kryeqytetit, duke e rivitalizuar gjithë zonën e Kodrës së Trimave.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat