Përfundon sezoni i ngrohjes nga “Termokosi”

Prishtina

Përfundon sezoni i ngrohjes nga “Termokosi”

Më: 15 prill 2025 Në ora: 18:21
Termokos

Ngrohtorja e kryeqytetit “Termokos” ka njoftuar për përfundimin e furnizimit me ngrohje për sezonin ngrohës 2024-2025.

Në njoftimin e lëshuar nga kjo ndërmarrje thuhet se vendimi është marrë në harmoni me rregulloren e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) dhe i bazuar në kushtet aktuale klimatike.

Sipas njoftimit, në këtë sezon janë prodhuar 10 për qind më shumë energji termike sesa në sezonin e kaluar.

“Është ky edhe një sezon tjetër nga më të suksesshmit, gjatë të cilit është ofruar ngrohje e mjaftueshme dhe cilësore përgjatë 181 ditëve për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes. Gjatë sezonit ngrohës 2024/2025 janë prodhuar 362,520 MWh energji termike apo 10% më shumë se sezonin e kaluar, kur nga KEK-u ishin ekstraktuar 329.617 MWh energji, ndërsa janë liferuar 307 GWh energji termike, që në raport krahasues me sezonin e kaluar ka një rritje prej 11 për qind më shumë energji të liferuar”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, thuhet se gjatë këtij sezoni për herë të parë ka filluar zbatimi i metodës së re të faturimit, sipas shpenzimit, kur mbi 12 mijë konsumatorë, që i kanë të instaluara pajisjet matëse janë faturuar sipas konsumit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat