Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Pastrimit ka njoftuar se do të ndërmarrin veprime sindikale pasi Komuna e Prishtinës nuk ka bërë asnjë reagim për kërkesat e tyre.
Ata njoftojnë se do të organizojnë protestë më datë 19.05.2025 (e hënë), duke filluar nga ora 10:00, përpara objektit të Komunës së Prishtinës.
Më poshtë çështjet për të cilat do të protestohet:
Pse kompanitë private paguhen 65 euro për një ton mbeturina, ndërsa KRM Pastrimi vetëm 35 euro? Ky diskriminim dëmton ndërmarrjen publike dhe punëtorët që e mbajnë funksionale.
Çfarë ndodh me punëtorët e KRM Pastrimi nëse mbledhja e mbeturinave i jepet sektorit privat? Kërkojmë siguri të plotë për vendet tona të punës.
Pse nuk zbatohet Rregullorja e Kuvendit Komunal lidhur me inkasimin, dhe ku janë mjetet që Komuna ka inkasuar nga data 01.01.2025? Kërkojmë transparencë të plotë dhe publikim të të dhënave financiare.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka deklaruar se ka ofruar kontratë në vlerë 1.5 milionë euro për punë shtesë për KRM Pastrimi – le ta bëjë publike atë kontratë! Kërkojmë qasje zyrtare dhe të drejtpërdrejtë në këtë dokument.
Pse dy kamionët e rinj të blerë për KRM Pastrimi nuk janë dorëzuar tek kjo ndërmarrje? Kjo përbën pengesë për zhvillimin dhe efikasitetin e punës.
Pse i jepet tenderi kompanive private, kur KRM Pastrimi është aset i Komunës së Prishtinës dhe përmban specialistë me përvojë mbi 70-vjeçare në këtë fushë? Injorimi i këtij kapaciteti është i pajustifikueshëm.
Flitet vazhdimisht nëpër media se kush është fajtori për gjendjen në kompani – Komuna apo menaxhmenti?! Neve si sindikatë, këto politika dhe inate personale po na kushtojnë me vende pune dhe po shkaktojnë pasiguri tek punëtorët. Kërkojmë ndaljen e menjëhershme të kësaj qasjeje politike dhe llogaridhënie të qartë institucionale.
Kërkesat tona janë të qarta: Trajtim i drejtë dhe i barabartë për ndërmarrjen publike KRM Pastrimi; Siguri në punë për punëtorët dhe respektim i dinjitetit të tyre; Zbatim të ligjit dhe transparencë financiare nga Komuna e Prishtinës; Publikim të kontratave, vendimeve dhe investimeve që lidhen me ndërmarrjen; Ndërprerje e politikave të dëmshme dhe faji institucional që po rëndon mbi punëtorët.
Ndryshe, Ndërmarrja “Pastrimi”, ka njoftuar se ka ndërprerë shërbimin për shkak të krizës financiare, sipas tyre të shkaktuar nga Komuna e Prishtinës.