Rama: Kryeqyteti të mos mbetet peng i kalkulimeve politike

Prishtina

Rama: Kryeqyteti të mos mbetet peng i kalkulimeve politike

Më: 9 dhjetor 2025 Në ora: 12:26
Përparim Rama

Kryetari i zgjedhur i Prishtinës, Përparim Rama, është betuar të martën para asamblistëve të rinj në mbledhjen inauguruese të Kuvendit Komunal.

Ai, para të pranishmëve në ceremoninë solemne, tha se do t’i kryejë detyrat me nder dhe përgjegjësi ndaj ligjit.

Rama theksoi se në mandatin e dytë do të përfundojnë projektet kapitale dhe, siç tha, vizionin transformues për kryeqytetin. Megjithatë, i pari i kryeqytetit nuk e prezantoi para kuvendit përbërjen e kabinetit që pritet të udhëheqë me drejtoritë komunale.

Rama: Në këtë mandat do t’i përfundojmë projektet kapitale

“Prishtina foli. Ky besim për mua është vazhdim i përgjegjësisë dhe motivit. Është zotim për të vazhduar punën me përkushtim të palëkundur. Ju faleminderit që na keni besuar në drejtimin e qytetit tonë. Faleminderit që besuat në vazhdimin e vizionit transformues për Prishtinën. Po hyjmë në këtë mandat me vendosmërinë për t’i përfunduar projektet kapitale, për të vazhduar investimet në arsim, shëndetësi, zhvillim rural dhe të gjithë sektorët që prekin cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Do të vazhdojmë të përkrahim idetë inovative dhe të mbështesim krijimtarinë e rinisë dhe energjinë e tyre për të ardhmen, duke respektuar trashëgiminë tonë kolektive me vizionin modern”, theksoi ai.

Përkitazi me këtë, Rama kërkoi nga anëtarët e Kuvendit Komunal që t’i shërbejnë qytetarëve dhe jo partive politike.

Ai theksoi nevojën që kryeqyteti të mos mbetet peng i kalkulimeve politike.

Rama: Kryeqyteti të mos mbetet peng i kalkulimeve politike

“E dimë se mandati i kaluar nuk ka qenë ashtu siç kanë merituar qytetarët. Ka pasur bllokada të kalkuluara politikisht, vonesa dhe pengesa. Prej tyre më së shumti kanë vuajtur qytetarët. Uroj që në këtë mandat të reflektojmë dhe të mos e detyrojmë popullin të dëgjojë diskurse përçarëse. Të mos e vendosim qytetin peng të kalkulimeve politike. Secili jemi të votuar për t’iu shërbyer qytetarëve e jo partive politike. E kemi për borxh të bëhemi bashkë dhe të punojmë. Të mos projektojmë kriza artificiale dhe të mos krijojmë bllokada që e lodhin kryeqytetin, por të punojmë me përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen tonë”, shtoi Rama.

Pas përfundimit të fjalës së kryetarit Përparim Rama, asamblisti i LVV-së, Egzon Azemi shkoi në foltoren duke vendosur një mbishkrim sipër, “urime koalicioni LDK, PDK, AAK, Nisma, PSD dhe të tjerët”, por i njëjti u largua menjëherë nga anëtarët e LDK-së në asamble.

Në anën , Fehmi Kupina u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal të kryeqytetit, pas propozimit të Lidhjes së Prishtinës. Për Kupinën votuan 31 asamblistë, katër ishin kundër, kurse dy asamblistë abstenuan.

Kupina tha se do të kryesojë kuvendin komunal me profesionalizëm, transparencë dhe paanësi.

Kupina: Do të kryesojë kuvendin komunal me profesionalizëm, transparencë dhe paanësi

“Faleminderit secilit prej jush për mbështetjen dhe besimin. Ky besim nuk është një privilegj i thjeshtë, por është një obligim që të udhëheq me profesionalizëm, transparencë dhe paanësi, duke garantuar funksionim të drejtë, të hapur dhe efikas të këtij kuvendi... Ju ftoj të gjithëve që, pavarësisht dallimeve, të gjejmë bashkëpunimin e nevojshëm për projektet madhore të qytetit”, tha ai.

Paraprakisht, propozimi për kryesues të kuvendit komunal nxiti polemika mes anëtarëve të LVV-së dhe LDK-së në asamble.

Pasi LDK, PDK dhe AAK nuk kishin propozim, asamblisti Egzon Azemi tha se kjo po dëshmon koalicionin gjigant ndërmjet LDK-së, PDK-së, AAK-së, Nismës, PSD-së dhe të tjerëve.

Kjo nxiti tension mes anëtarëve të kuvendit komunal, e që më pas Azemi propozoi për kryesues Sokol Havollin nga LDK.

Azemi: Urime koalicioni LDK, PDK, AAK, Nisma, PSD dhe të tjerët

“E vendosëm disa herë edhe një urim aty tek emri i kryetarit, ku shkruante ‘Urime koalicionit LDK, PDK, AAK, Nisma, PSD, etj. etj.’. Nuk e di pse po u pengon asamblistëve të këtij subjekti ky urim, pasi një gjë e tillë po dëshmohet me vetë mospropozimin e kryesuesit të Kuvendit. Grupi më i madh parlamentar, LDK, pati rastin të propozojë kryesuesin, por nuk e propozon, ndërkohë urimin për një koalicion kaq gjigant e mohojnë dhe e largojnë letrën. Ju lutem, keni durim pasi e morët fjalën dhe ju dëgjuam të gjithëve. Nuk po ia kuptojnë këtë inat Sokolit, kështu që për me zbutë këtë inat të Sokolit, unë propozoj Sokol Havollin si kryesues të Kuvendit”, tha ai.

Mirëpo, Havolli tha se nuk e pranon këtë propozim, pasi po bëhet për qëllime të tjera të LVV-së.

Azemi e propozon për kryetar të kuvendit komunal - Havolli: Nuk e pranoj propozimin e LVV-së

“Ky është një propozim që këta e bëjnë për qëllime të tjera. Unë nuk pranoj që të jem në kuadër të propozimeve, por sigurisht e kanë inatin se kanë mbetur prapa atje. Parullat politike në seancë solemne duhet t’i lëmë anash”, deklaroi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat