Vuçiqi e siguron Ramën, derisa të jetë ai kryeministër, nuk do ta sulmojë Shqipërinë me raketa kineze!

Satirë

Vuçiqi e siguron Ramën, derisa të jetë ai kryeministër, nuk do ta sulmojë Shqipërinë me raketa kineze!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 21 mars 2026 Në ora: 11:21
Foto ilustrim

Serbia ndodhet tërësisht e rrethuar. Kjo nga askush nuk po diskutohet, as brenda fqinjëve, e as nga bashkësia ndërkombëtare. Ne po mbetemi tash edhe pa Rusinë, e cila dita – ditës po fundoset në Ukrainë.

Nga paniku Vuçiqi iu desh të blinte raketa supersonike nga Kina. Për ta mundur frikën, po ashtu po organizon ushtrime ushtarake në kufi me Kosovën.

Frikën duhet disi ta mundësh, përndryshe ta han shpirtin. Kush ishim e çfarë u bënim ne dikur shqiptarëve, kurse tash nga pafuqia mundohemi që ta frikësojmë ariun me shoshë, po ata s’na e kanë drojën më. Ata u bënë me ushtrinë e tyre, policinë, Albin Kurtin, kurse tash lidhën edhe pakt ushtarak me Kroacinë, që t´na pushtojnë një ditë. Këto janë planet e tyre. Nuk e mashtroni dot Vuçiqin, ju.

Unë me blerjen më të re, më tepër iu përgjigja Kurtit dhe Kroacisë, sepse nga Edi i Shqipërisë nuk rrezikohemi dot, këtë e kemi të ditur.

 Lidhja Kosovë - Kroaci gjithnjë ka funksionuar edhe në bashkësinë socialiste, këtë e dinim ne, edhe pse e mbyllnim njërin sy.

Në socializëm shqiptarët i kishim nën kontroll dhe i ndiqnim këmba – këmbës, ashtu siç dinim ne, kurse sot pasi na dolën nga dora, po lidhin pakt ushtarak me kroatët, kundër Serbisë. Këtë s´po e kapërdijmë dot.

Ne tash po e vërejmë se Serbia është e vetmuar dhe e rrethuar nga të gjitha anët. Derisa e kishim Rusinë pas nuk merakoseshim aspak, po sot Rusia si duket, po jep shpirt në Ukrainë. Mua nuk më mbetet tjetër, përpos të mendoi për sigurinë e Serbisë.

Së bashku me Edin iniciuam nisma Ballkanike e tash edhe Evropiane, me të vetmin qëllim që të afroheshim mes vete në Ballkan, po Kurti të gjitha i fundosi me të vetmin qëllim që të na i rrëmbej territoret tona, ashtu siç na e rrëmbyen Kosovën.

Mua e Edin na shpallën vëllezër, na akuzuan se unë gjoja po e mashtroi atë, po e vejë në lojë për interesa të Serbisë, e akuzuan si antikombëtar vetëm se i kuptonte hallet e popullit serb. Kërkuan t’ia ndalonin hyrjen në Kosovë, vetëm se po bashkëpunon me ne, e po u bashkohet iniciativave tona për një Ballkan të përbashkët, të hapur pa kufij për të gjithë. Po me cilët?

 Kosovarët ne nuk na duan dhe ata kanë qëllime tjera ndaj nesh. Ata me shekuj  nuk po na lejojnë që të kemi një afrim dhe jetë të përbashkët me Shqipërinë. Edi na e ofroi bregdetin dhe plazhet për qytetarët tanë, po si të shkojmë kur në çdo hap i ke përkrahësit e Albin Kurtit, si nga Kosova po ashtu edhe brenda Shqipërisë. Derisa Edi të jetë në pushtet, nuk e kam frikën e Shqipërisë, po çështja është edhe sa do të jetë ai aty. Që të dyve opozitat na kanë marr në shënjestër. Raketat supersonike kineze i kam shenjtëruar. Edin do ta kursej patjetër.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat