Enver Hoxha i shfaqet në ëndërr Ramës!

Satirë

Enver Hoxha i shfaqet në ëndërr Ramës!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 18 tetor 2026 Në ora: 12:22
Enver Hoxha, Edi Rama

Po e shoh se ç’po ndodh këto ditë në Shqipëri. Jam i lumtur që lashë një pasardhës të tillë, shoku (dhe pse mos të të quaj vëllai) Rama. Nga armiqtë e popullit as unë nuk e kisha lehtë, po ua shqiptoja dënimin aty për aty.

Më vonë e instalova luftën e klasave dhe spiunët i futa pothuajse në çdo familje. Sapo kjo formë u tregua e suksesshme, pushtetin e mora pa vështirësi dhe arrita që ta mbaja deri në vdekje.

Më pas më trashëgoi Ramiz Alia, për të cilin shpresoja se do ta vazhdonte rrugën time, po ai iu nënshtrua imperializmit amerikan dhe e shkatërroi Shqipërinë. Berisha, i cili ma rrënoi bustin në mes të Tiranës, po ashtu, më 1997, e shkatërroi me themel Shqipërinë.

Tash, biri im Rama, radha të erdhi ty. Në fillim isha skeptik, se nuk më pëlqenin hapat e parë që i bëje, por më vonë e kuptova se ajo ishte vetëm një taktikë e jotja. Tash, kur po të shoh se ç’po ndodh në Shqipëri, po ma kujton veten time. Më beso, as unë nuk do të kisha ditur më mirë ta menaxhoja situatën sesa po vepron ti tash. Armiqve të popullit duhet t’u tregohet forca e shtetit.

Me brutalitet të njëjtë do të veproja edhe unë po të isha në vendin tënd. Së pari kërkohet armiku i jashtëm, ashtu siç po vepron ti, pastaj luftohet armiku i brendshëm.

Në këto momente, po ta fajësosh Serbinë, do të ishte sikur ta qëllosh veten, kur ti ke marrëdhënie vëllazërore me Vuçiqin. Ta fajësosh Rusinë, po ashtu, nuk ia vlen, kur atë po e fajësojnë të gjithë, kurse ajo punët i ka pisk me Ukrainën. Të kisha porositur: armikun e jashtëm mos e defino fare, të mbetet anonim, kurse armikun e brendshëm e ke të qartë, në rrugë. Atyre mëshoju dru pa dhimbje. Mbushi burgjet dhe vepro në të njëjtën mënyrë siç veproja unë.

Nuk jam mësuar që të lavdërohem, por kur po të shoh se si po sillesh ndaj armiqve, ma shërove shpirtin. Thënë të drejtën, në shumë aspekte po ma kalon edhe mua vetë. Po hakmerresh edhe për kohën time, kur nuk i kisha në dispozicion të gjitha këto mjete luftarake që i ke ti sot. E di se më kanë quajtur sadist, por të jesh i sigurt, edhe në këtë çështje ti po ma kalon edhe mua.

Po të kisha mundësinë, do të të shpërbleja me medaljen më të lartë shtetërore që e kisha: Hero i Popullit. Ti e meriton këtë, biri im.

Të porosis të kesh vëmendjen, se imperialistët të joshin dhe në fund të lënë me gishta në gojë. Pra, mos u mashtro e mos u josh nga ta. Ti e din se si u ndava me Hrushovin dhe pastaj edhe me Maon. Syrin nuk e tremba kur ua thashë troç në sy se e kanë devijuar marksizëm-leninizmin.

Këmbëngulja jote për të triumfuar mbi armiqtë e atdheut po më jep kurajë dhe po bindem se Shqipërinë e paskam lënë në duar të sigurta.

Edhe një porosi, biri im: nëse e vëren se i ke ditët e numëruara, unë serbët i kisha më shumë se vëllezër. Llogarit në ta. Nëse nuk mund të të ofrojnë ndihmë me forca të rendit e me ushtri, së paku do të të strehojnë.

Të priftë e mbara, biri im: e korrsh atë që e ke mbjellë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat