Manipulimi

Satirë

Manipulimi

Nga: Sevdail Hyseni Më: 18 prill 2026 Në ora: 13:21
Foto ilustrim

Sa jemi të ndarë në “vilajete”,
ku njerëzit s’njihen mes vete,
diku mësohet zanati i dredhisë
në Akademinë e Manipulogjisë.

Nuk ka tabela e mbishkrime,
as reklamime sa shtëpia ime,
sepse klientët vijnë pa ftesë,
të bindur se fitojnë me finesë.

Drejtori jep leksione çdo ditë,
mbi artin e manipulimit perfid,
duke përdorur shembuj konkretë
që s’kanë lidhje me të vërtetë.

Efekti i manipulimit bashkëkohor
është t’i bësh të tjerët fajtorë,
të hyjnë qejfli, të dalin me dyshim,
për gjëra që s’i bëjnë me-pa qëllim.

Kur njerëzit bëhen të vetëdijshëm,
në Universitetin e Jetës të lavdishëm,
binden se në jetë, sa rron, do të mësosh:
- Me kokën tënde duhet të mendosh!

Por derisa mendja të blihet me çmim,
e vërteta të shitet për pak përfitim,
“Akademia” s’do të mbetet bosh -
se gjithmonë do ketë edhe kodoshë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat