Lajmi se Vuçiqi i humbi zgjedhjet, e ka tronditur Ramën. Ne plot 14 vite jemi mësuar vetëm të korrim fitore, i shkruan Rama, Vuçiqit. Basti ynë se cili do binte i pari, më nxori fitues. Taktika jote (që të ma punosh mua) të zgjidhesh kryeministër, siç duket pësoi fiasko.
Për çudi edhe mua në të njëjtën mënyrë, siç të rrëzuan ty, po mundohen të më zbresin nga froni, por Balla ua tregoi bërrylin të gjithëve këtë javë.
Kanë harruar të mjerët se unë jam kockë e vjetër. Qe 14 vite po përgatitem për këtë ditë. Kam studiuar Leninin dhe Revolucionin e tij. Jam marr me Stalinizmin dhe Maon. Enverizmin e kisha në shtëpi. Së fundi ishim ne dy dhe s’kishim nevojë për askënd tjetër. Kishim edhe partitë tona socialiste. Deri më sot gjithçka funksiononte më mirë se ora zvicerane, por si duket më le vetëm.
Ndoshta e ke parë edhe vetë, Kurtin me gomë e fshiva nga fotoja e përbashkët e Samitit në Budvë. Kjo ishte nga mëria që të humba ty.
Këshillat tua për sjellje me dorë të hekurt dhe brutalitet ndaj protestuesve, po më mbajnë në pushtet.
Njësoi si do të reagonin regjimet komuniste, ashtu siç reagove edhe ti për ndërhyrjet nga jashtë, reagova edhe unë. Me rëndësi është që të gjej shkak dhe arsye për represionin dhe mos dorëheqjen.
Së fundi po e përdori edhe taktikën e dialogut. Çdo mëngjes para kryeministrisë po i nxjerr karriget bosh në të cilat po vendosi shkresën DIALOG, ashtu siç shkrova edhe për gjykimin e Thaçit, MARRE.
Jam i vetëdijshëm se askush nuk i përgjigjet kërkesës sime, po kjo më tepër është një lojë si, macja me miun. Mua po ashtu kjo po më përgjigjet, të fitoi në kohë dhe të arsyetohem pra ndërkombëtarëve se jam për dialog.
Ndodhën protestat dhe tash po e njoh siç duhet, secilin edhe nga PS. Të gjithë ish ministrat, ish diplomatët, ish udhëheqësit, ish ambasadorët, ish nëpunësit shtetëror e administrativ po më dalin kundër, duke më kërcënuar që të dorëzohem.
Më gëzon fakti se kabineti im qeveritar dhe deputet po qëndrojnë pas meje. Kjo është një shenjë se nuk jam i mbaruar. Edhe po të insistoja të tërhiqem, presidenti, ministrat dhe deputet më japin kurrajo dhe forcë që mos ta jap dorëheqjen. Shtetin duhet mbrojtur me të gjitha mjetet më thonë. Po më gëzon fakti se më e zëshmja nga të gjithë është Balluku.
Kur po hasi në vështirësi se si ti quaj dhe etiketoi protestuesit, pasi të gjithë arsenalin denigrues dhe fyes ndaj tyre e kam përdorur, aty është Balla, i cili menjëherë me del në ndihmë.
U mundova, i paharruari Vuçiq, në pika të shkurta ta përshkruaj gjendjen momentale në vendin tim. Po të premtoi se nuk e kam ndërmend të dorëzohem. E di se kjo është edhe dëshira jote, dhe e Partisë tënde. Do më mungosh, por kushedi rrugët do na bashkojnë sërish.