Në prag të çdo palë zgjedhjeje, Kosova shndërrohet në vendin më të pasur në botë. Liderët politikë premtojnë barna falas, sigurime shëndetësore falas, spitale moderne, shkolla të nivelit evropian, pishina olimpike, autostrada, paga të larta dhe standard jetësor që do t’ia kalonte edhe vendeve më të zhvilluara të Evropës si,Zvicrës ,Norvegjisë, Suedisë…!Sipas llogarive të tyre, me një buxhet prej disa miliardë eurosh do të realizohen investime prej 15 miliardë eurosh, e ndoshta edhe më shumë. Nëse vazhdohet me këtë ritëm, nuk është çudi që në zgjedhjet e ardhshme të premtohet edhe ndonjë stacion kozmik në Drenicë apo metro nga Prishtina në çdo fshat të Kosovës.
Për t’i kursyer qytetarët nga lodhja e fushatave dhe negociatave të pafundme, ndoshta zgjidhja më e mirë do të ishte që të gjithë liderët të bëhen bashkë në pushtet. Njëri president, tjetri kryetar kuvendi, një tjetër kryeministër, ndërsa të tjerët zëvendësa, këshilltarë e koordinatorë të premtimeve. Kështu askush nuk do të mbetej i pakënaqur dhe çdo premtim do të kishte të paktën dhjetë autorë që do të mund ta merrnin meritën.
Në fund të fundit, kur secili premton para, investime dhe mirëqenie që tejkalojnë mundësitë reale të buxhetit, atëherë problemi nuk është kush do të qeverisë, por kush do të gjejë kalkulatorin që i bën këto llogari të mundshme.
Deri atëherë, qytetarëve u mbetet të shijojnë sezonin më të pasur të vitit, sezonin e premtimeve, ku miliardat shpërndahen falas, projektet përfundojnë para se të nisin dhe e ardhmja ndërtohet më shpejt se realiteti.
Për fat të mirë, premtimet elektorale ende nuk tatohen. Po të tatoheshin, Kosova do të kishte suficitin më të madh buxhetor në Evropë.