Shqiptari mburret se është luan, por i frikësohet edhe milingonës – skandinavi e konsideron veten milingonë, por shtetin e ndërton si luan!

Satirë

Shqiptari mburret se është luan, por i frikësohet edhe milingonës – skandinavi e konsideron veten milingonë, por shtetin e ndërton si luan!

Nga: Lirim Gashi Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 08:43
Lirim Gashi

Në psikologjinë politike shqiptare ekziston një fenomen tejet i çuditshëm:

Sa më pak guxim të ketë një politikan shqiptar për të bërë diçka të dobishme për shoqërinë, shtetin dhe atdheun, aq më shumë bërtet, duke shpresuar se do t’i bindë të tjerët se është njeri i vendosur, me karakter të fortë dhe me parime të palëkundura.

Sikur decibelët të mund të shndërroheshin në zhvillim ekonomik, Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat autoktone shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Sanxhak dhe në Luginën e Preshevës, sot do të ishin fuqitë më të mëdha industriale të planetit.

Fatkeqësisht, zhurma nuk prodhon as fabrika, as shkolla dhe as drejtësi. Ajo shkakton vetëm dhimbje koke.

Skandinavët e kanë kuptuar prej kohësh një të vërtetë që ne shqiptarët ende po përpiqemi ta zbulojmë:

Shteti nuk ndërtohet duke kënduar me zë të lartë këngë dhe parulla patriotike, por duke i paguar taksat, duke e respektuar ligjin, duke e kryer punën me përgjegjësi dhe duke mos e futur dorën në arkën e shtetit, e cila u përket të gjithë qytetarëve.

Politikani ynë shqiptar, ndërkaq, mund t’i mbajë paradite tri fjalime patriotike, ndërsa pasdite të negociojë me ndërgjegjen e vet se sa përqind të pasurisë publike mund ta shpallë trashëgimi familjare.

Prandaj kemi kaq shumë burracakë politikë që para kamerave sillen si luanë, por që do të kërkonin azil politik edhe sikur një milingonë e vetme juridike t’i kërcënonte me përgjegjësi ligjore për veprimet e tyre të paligjshme.

Partitë tona politike janë themeluar për t’i përfaqësuar qytetarët, por disa prej tyre kanë përfunduar duke i trajtuar ata vetëm si personel ndihmës për realizimin e interesave të veta egoiste.

Sepse liderët e tyre e kanë shndërruar mandatin publik në një mundësi ideale për ndërtimin e karrierave personale, përmes krimit të organizuar, korrupsionit, sabotimit, oportunizmit, tradhtisë dhe pasurimit të paligjshëm.

Kështu e kanë shndërruar parlamentin në një dhomë pritjeje për privilegje, ndërsa buxhetin e shtetit në një frigorifer prej të cilit mendojnë se kanë të drejtë të marrin çfarë të duan, para se të shfaqet pronari i tij i vërtetë – qytetari.

Në Skandinavi, një ministër mund të përballet me pasoja serioze ligjore edhe për shpenzimin e pajustifikuar të një shume fare të vogël nga paratë publike.

Tek ne, një politikan shqiptar mund ta shpenzojë pasurinë e një lagjeje të tërë dhe pastaj të organizojë konferencë për shtyp për të shpjeguar se sa shumë e do popullin.

Madje, në disa pjesë të hapësirës sonë shqiptare, transparenca konsiderohet si njëra ndër të metat më të rrezikshme njerëzore.

Kushdo që bën pyetje për tenderët, privatizimet, pronën publike apo donacionet e zhdukura rrezikon të shpallet tradhtar. Jo pse ka vjedhur diçka, por sepse ka pyetur se kush ka vjedhur.

Ky është zbulimi më madhështor i logjikës sonë të përmbysur politike, etike, morale dhe juridike:

Hajduti e gëzon prezumimin e pafajësisë, ndërsa ai që kërkon përgjegjësi duhet së pari të dëshmojë se nuk është tradhtar!

Kështu kanë funksionuar edhe shumë familje tradicionale shqiptare :

Edhe kur brenda katër mureve ndodhte ndonjë incest i turpshëm seksual, kryefamiljari i urdhëronte të gjithë anëtarët e familjes ta ruanin nderin familjar duke e fshehur imoralitetin e ndyrë.

Edhe nëse oborri kundërmonte nga imoraliteti si nevojtoret e vjetra fshatare, të ndërtuara me dërrasa dhe të mbuluara me pllaka azbesti, rëndësi kishte që fotografia familjare të dukej e pastër.

Mafia tradicionale siciliane e kishte, të paktën, atë grimcë ndershmërie profesionale që nuk e lejonte të shtirej si shoqatë humanitare për zhvillimin e demokracisë.

Mafia jonë politike është shumë më e përparuar:

Ajo ka zyra, vula, konferenca për shtyp, borde drejtuese, parulla patriotike dhe fotografi me flamuj kombëtarë.

Mirëpo, në vend që të investojë në prodhim, punësim, teknologji, arsim dhe industri, ajo e shpenzon energjinë në tenderë të dyshimtë, në privatizime të kurdisura, në shitje mafioze të pronës publike dhe në pasurimin e njerëzve me lidhje të privilegjuara.

Nëse prona publike shitet me çmime qesharake, ndërsa rreth çdo shitjeje të tillë qarkullojnë dyshime për marrëveshje të fshehta, qytetarit nuk i mbetet më asgjë tjetër veçse ta pyesë veten nëse shteti e ka lidhur një marrëveshje biznesi apo e ka organizuar një panair dhuratash për miqtë e pushtetit.

Nëse praktika të tilla nuk hetohen, nuk dokumentohen dhe nuk ndëshkohen, atëherë shteti nuk po e lufton korrupsionin. Përkundrazi, po i ofron atij shërbime administrative.

Në Skandinavi, një ministër mund ta humbasë postin për një shkelje etike që në shikim të parë mund të duket krejt e parëndësishme.

Politikani shqiptar, përkundrazi, mund të mbijetojë politikisht edhe pasi t’i ketë humbur pothuajse të gjitha argumentet, përveç atij se dikush tjetër është edhe më i keq se ai.

Kjo është logjika jonë e ,,famshme" e standardit të dyfishtë:

Nuk ka rëndësi sa keq qeveris unë, përderisa mund të arsyetohem se dikush tjetër ka qeverisur edhe më keq se unë.

PSE SKANDINAVËT KANË SHTRESË TË MESME, NDËRSA NE VETËM SHTRESA TË SHKATËRRUARA NERVORE?

Në shoqëritë skandinave, edukimi fillon me respektin ndaj tjetrit, me përgjegjësinë personale dhe me bindjen se prona publike nuk është pronë pa zot.

Tek ne, sapo fëmija del nga barku i nënës, disa prindër fillojnë ta mësojnë se si të zbulojë kush ka lidhje në komunë, në ministri apo në ndonjë parti politike, në vend që t’ia mësojnë dallimin ndërmjet drejtësisë dhe padrejtësisë.

Në shoqëritë skandinave, fëmijët edukohen që të bëhen qytetarë të ndershëm dhe të pavarur.

Në shoqërinë shqiptare, fëmijët shpesh mësohen të pyesin se cilës parti politike duhet t’i përkasin për ta gjetur një vend pune.

Kjo nuk është çështje gjenetike dhe as ndonjë e metë e lindur e shqiptarëve. Është çështje institucionesh, edukimi, kulture politike dhe modelesh shoqërore.

Ne shqiptarët nuk kemi lindur më pak të aftë se skandinavët.

Por ne nuk mund të presim rezultate skandinave përderisa vazhdojmë të kultivojmë zakone shqiptare primitive, hipokrite dhe cinike, të cilat e shpërblejnë servilizmin dhe e ndëshkojnë meritën.

Në shoqëritë skandinave, njeriu që punon mirë mund të përparojë në karrierë pa pasur nevojë të bëhet kushëri i drejtorit.

Në shoqërinë shqiptare, konkursi publik nganjëherë duket sikur shpallet vetëm për ta përcaktuar se cili kandidat e njeh më mirë kryetarin e komisionit, ministrin e shtetit apo ndonjë funksionar partiak.

Në Kosovë, Shqipëri dhe në shumë institucione të trevave të tjera shqiptare, lidhjet partiake, familjare dhe klienteliste shpesh kanë më shumë peshë sesa aftësia profesionale.

Pastaj çuditemi pse të rinjtë largohen, pse ekonomia nuk prodhon sa duhet, pse shtresa e mesme po zhduket dhe pse qytetarët që nuk kanë lidhje me vendimmarrësit politikë duhet ta numërojnë dhjetë herë çdo cent, para se t’i blejnë gjërat më elementare.

Ja arsyeja:

Skandinavët ndërtojnë mirëqenie për brezat e ardhshëm, ndërsa politikanët tanë ndërtojnë vila për vetveten dhe për kryemafiozët e nëntokës.

Ne kemi një besim pothuajse mistik te ligjet e reja.

Prandaj sapo shfaqet ndonjë problem, e propozojmë një ligj të ri, një komision hetimor dhe një strategji zbatimi. Sikur korrupsioni të ishte një qen endacak të cilit do të mund t'ia shëronim të gjitha sëmundjet ngjitëse, vetëm nëse do t’ia ndryshonim emrin në regjistrin e kafshëve.

Por ligji nuk mund ta edukojë vetvetiu shqiptarin e pandershëm, i cili është rritur me bindjen se mashtrimi është zgjuarsi, se nepotizmi është solidaritet familjar dhe se vjedhja e shtetit është sukses personal.

As universiteti nuk mund të prodhojë automatikisht intelektualë të ndershëm vetëm duke u dhënë diploma, nëse më parë nuk i ka mësuar të mendojnë në mënyrë vetkritike dhe t’i vënë në pikëpyetje bindjet e veta.

Skandinavët e kanë kuptuar se arsimi nuk është thjesht grumbullim diplomash, por ndërtim i karakterit, i përgjegjësisë dhe i aftësisë për të bashkëjetuar në drejtësi dhe barazi me njerëzit dhe popujt e tjerë.

Ne duhet ta kuptojmë se shoqëria jonë nuk mund të prodhojë qytetarë të përgjegjshëm nëse i edukon fëmijët me bindjen se është më e rëndësishme ta njohësh njeriun e duhur sesa të bëhesh vetë njeriu i duhur.

Ligjet mund të ndryshohen brenda natës. Por mendësia e emancipuar kërkon kohë, punë, arsimim, shembuj të mirë dhe guxim për të mos e toleruar të keqen, sidomos kur ajo vjen nga njerëzit tanë, nga partitë tona apo nga familjet tona.

DIAGNOZA PËRFUNDIMTARE:

MOS E MBRO SËMUNDJEN VETËM PSE TI E KE ZGJEDHUR MJEKUN!

Megjithatë, përgjegjësia nuk u takon vetëm politikanëve. Ajo na takon edhe neve, qytetarëve, që e mbrojmë hajdutin vetëm pse e mban flamurin e partisë sonë, ndërsa e sulmojmë njeriun e ndershëm vetëm pse nuk mendon si ne.

Kjo dukuri fatkeqësisht shfaqet në të gjitha hapësirat shqiptare: në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Sanxhak dhe në Luginën e Preshevës.

Ne shpesh jemi të gatshëm t'ia falim politikanit tonë të preferuar edhe shkeljen më të rëndë, ndërsa kundërshtarit të tij nuk ia falim as gabimin më të vogël.

Për ta arritur një nivel më të lartë të vetëdijes qytetare, ne duhet të pushojmë së qeni tifozë të partive politike dhe të bëhemi njerëz që e mbrojnë ndërgjegjen e tyre.

Sepse patriotizëm nuk është ta mbrosh politikanin tënd të preferuar kur vjedh.

Patriotizëm është të mos ia falësh vjedhjen, edhe nëse në zyrën e tij e ka vendosur fotografinë e heroit tënd më të dashur kombëtar.

Burrëria nuk qëndron te të bërtiturit më fort se kundërshtari. Burrëria është ta pranosh gabimin, ta respektosh të vërtetën dhe të mos i frikësohesh përgjegjësisë.

Demokracia nuk është t’i fitosh zgjedhjet dhe pastaj ta trajtosh shtetin si pronë private. Demokracia është ta pranosh se edhe kundërshtari politik i ka të njëjtat të drejta dhe se askush nuk është mbi ligjin.

Ndoshta do të duhej ta bënim një eksperiment të thjeshtë:

Për një vit të tërë, të mos e pyesnim asnjë politikan se sa shumë e do kombin, por nëse i paguan detyrimet, nëse e respekton ligjin, nëse i punëson njerëzit sipas meritës dhe nëse jep llogari për çdo cent të parasë publike.

Nëse dikujt një kërkesë e tillë i duket tepër skandinave për shijen e tij shqiptare, mund t’ia ofrojmë një kompromis:

Le të fillojë së paku duke mos vjedhur.

Sepse ne nuk kemi nevojë të bëhemi skandinavë për të qenë shqiptarë të ndershëm. Mjafton të mos e konsiderojmë më pandershmërinë si pjesë të identitetit tonë kombëtar.

Një popull nuk bëhet i madh pse ka politikanë që sillen si luanë, por pse ka qytetarë që nuk gjunjëzohen para tyre.

Skandinavët nuk e ndërtuan mirëqenien e tyre duke bërtitur se janë më të mirë se të tjerët.

Ata e ndërtuan duke e bërë çdo ditë atë që ne ende e konsiderojmë të jashtëzakonshme:

Duke punuar, duke mësuar, duke e respektuar ligjin, duke mos vjedhur dhe duke mos e tradhtuar as kombin, as shtetin e tyre.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron dallimi më i madh ndërmjet një shoqërie që ndërton shtet dhe një shoqërie që ende kërkon shpëtimtarë.

Ne kemi mjaft njerëz që dëshirojnë të bëhen dikushi dhe diçka.

Ajo që na nevojitet më së shumti janë njerëzit që e kanë guximin të jenë dikushi, pa e shndërruar askënd tjetër në askush dhe asgjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat