Kosova dhe figurat konsensuale të Isa Mustafës!

Satirë

Kosova dhe figurat konsensuale të Isa Mustafës!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 10 prill 2026 Në ora: 09:22
Isa Mustafa

Në bazë të paraqitjes së propozimit për opinion, sipas zotit Mustafa, u kuptua se Kosova është e mbushur me figura konsensuale, për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Nuk u emërua asnjëra nga to, po u kuptua se një figurë e tillë pse mos të ishte vetë zoti Mustafa. Ai që nga lindja ka qenë kuadër i Kosovës autonome, i Kosovës me autonomi të uzurpuar, Ministër i tre përqindëshit, e pas luftës po ashtu kishte arritur të emërohej edhe kryeministër (vetëm pas vdekjes së Rugovës) e kryetari i LDK, derisa e solli para falimentimit. Sot pra, në përmbyllje të karrierës politike, qëndron si figurë konsensuale, për kryetar të Kosovës, si mundësi për t´iu ikur zgjedhjeve të njëpasnjëshme.

Kosova përpos tij ka edhe figura të tjera konsensuale siç është ta zëmë Baton Haxhiu. Ai gjatë luftës ishte shpallur si kuadër i zhdukur, por sapo u gjet u ekspozua në të gjitha frontet, si kuadër deficitar i politikës kosovare, por pa një pozitë që do ta kishte preferuar, së paku si ministër qeverie.

Ai pasi u demaskua, (si kuadër i inteligjencës serbe, që në Kosovë e thërrasin edhe Stanishiq) nga krimineli Milosheviq, në Gjykatën e Hagës, nuk i mbeti vend në Kosovë, por u avancua në Shqipëri, si këshilltar i kryeministrit Rama. (Për përmirësimin dhe afrimin e marrëdhënieve shqiptaro – serbe).

Nga atje, (me detyra speciale) pasi ndihej i sigurt, i filloi sulmet ndaj kuadrove të Kosovës, e sidomos ndaj Albin Kurtit. U angazhua fuqishëm dhe e këshillonte kryeministrin Rama, se çfarë politike duhej të ndiqte ndaj Serbisë, e sidomos ndaj Vuqiqit, (që nga shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Luginës, cilësohet edhe si kriminel lufte) i cili së fundi po akuzohet edhe si organizator i Sarajeva - Safarit.

Këto dy figura, zoti Isa Mustafa dhe Baton Haxhiu, do të ishin si figurat më konsensuale, që do t´i ofronte Kosova për zgjedhjen e presidenti, por nëse vendoset që sërish presidente të emërohet një grua, propozimi numër një do të ishin Ganja nga PDK, Hykmetja nga LDK, ose Dudija, e preferuar nga deputetët e të gjitha partive, por dhe kleri mysliman. Ajo së paku deri më sot, nuk ia ka kapur Kurtit, mikrofonin.

Për fat të mirë, Kosova ka edhe figura të tjera konsensuale, si për shembull Azem Vllasi, ish një nga politikanët më besnik të ish Jugosllavisë (me shtetësi jugosllave) i cili në prag të shpërbërjes së shtetit jugosllav, i ndërroi anët (nga mëshira e shqiptarëve u rehabilitua, si një limon i shtrydhur, siç thoshte Demaçi) dhe sot jep këshilla se si të sillemi ndaj Serbisë.

Një figurë tjetër mund të ishte ta zëmë Milaim Zeka, i cili në Shqipëri cilësohet si një gazetar i shquar, kurse në Kosovë njihet si një figurë kontroverse, i cili shumë shpejt i ndërron anët, sipas interesit politik. Së fundi u akuzua edhe për mashtrime të pronësisë banesore, pastaj thuhej, si reporter i luftës u shiste foto nga masakrat mbi shqiptarët, agjencive të ndryshme botërore. Kjo ishte akuzë e rëndë se bënte biznes me fotot e të masakruarve, po nuk mendohej se ai duhej të mbijetonte materialisht dhe rrezikonte jetën e tij, për dëshmitë të cilat i afronte dhe ia paraqiste opinionit botëror.

Si figura konsensuale mund të ishin edhe Lirim Mehmetaj, Buzhala dhe plot figura të tjera, të cilat në emisionet e përditshme televizive marrin pjesë që të vjellë kundër Albin Kurtit, apo bëjnë gara se cili po e hedh pështymën më larg kundër tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat