Rama i kërkon falje Kosovës dhe Kurtit

Satirë

Rama i kërkon falje Kosovës dhe Kurtit

Nga: Sherif Ramabaja Më: 9 qershor 2026 Në ora: 09:08
Sherif Ramabaja

Më në fund po zgjohem nga magjitë. Po e kuptoi, e paskam pas humbur lidhjen me realitetin. Koha nuk kthehet mbrapa. Tash jam i humbur. Jam i pavlerë, i urryer dhe i përbuzur nga shqiptarët.

Këtë përfundim nuk e kam merituar. Diçka e tmerrshme ka ndodhur me mua. Magjitë kundër meje i kanë bashkuar Berisha, e gjithë opozita, Albin Kurti, Mustafa Nano, Fatos Lubonja, Çun Lajçi, Adriatik Lapaj, Agron Shehaj, Salianji, e shumë të tjerë.

Tubimi i protestës, në fillim më çorientoi tërësisht. Isha mësuar të jem superior ndaj të gjithëve. Në këtë stil zgjohesha nga gjumi, kontaktoja aparatin tim, institucionet e mia, dhe si i tillë shkoja në gjumë. 

Isha i bindur se jam i vetmi në vend që po punoja për Shqipërinë dhe shqiptarët. Isha i mishëruar me bindjet e mia. Nuk shihja se çpo ndodhë rreth meje. Në Kokë i kisha të ngulitur vetëm Vuçiqin, Putinin, Enverin, Stalinin, Trumpin, Erdoganin, Thaçin dhe tjetër njeri nuk shihja.

Tash kur po e vërej se gjysma e Shqipërisë është ngritur në këmbë, kundër meje, u ndala. Thash, si është e mundur kjo. A janë të gjithë të sëmurë, apo jam unë vetë i sëmuri.

E kisha vështirë ta pranoja të vërtetën, por skam ku iku tash. Dikush duhet të ketë të drejtë në tërë këtë teatër shekspirian.

Unë duhet të vërtetën ta shoh lakuriq, ashtu siç jam mësuar. Uji nuk ndalet dot me sitë. Mendova në fillim se protestuesit duhet ta shikonin veten në pasqyrë, i akuzova se dikush qëndron pas tyre, po lumi doli nga shtrati.

Ai po merr hov brenda e jashtë. Kjo po më tmerron. Kush paskam qenë unë, monster i pikturave të mia, lakuriq, i urryeri i botës, apo cili. 

Prisja që ministrat e aparatit tim qeveritar, do tma thoshin të vërtetën. Një fjalë, e vetme do më mjaftonte, po ata më nxitnin edhe më fuqishëm: Ti je i pa gabuar, ti je mesia ynë, më thoshin.

Koha po dëshmon se, lumi i njerëzve, po i kalon përmasat biblike. Ata po brohorisin vetëm emrin tim. Ata po kërkojnë dorëheqjen time. Ata po kërkojnë burgosjen time dhe të Berishës. Kjo po më çmend. Çfarë më lidh mua me Berishën. Mos e kemi pasur biznesin qeverisës së bashku.

Për cilët isha sakrifikuar unë deri tash, me patronazhistët, me ministrat e mi dhe PS. Unë e mbroja Kosovën, edhe pse ata më ofendonin e më shanin si tradhtar dhe vëllai i Vuçiqit. Unë paraqisja vetëm ide, pse dikush të më bëjë fajtor për këtë

Protestat mi hapën sytë që ta shoh veten: Ku paskam qenë, ku jam, ku do vejë, e ku paskam rënë.

Nuk më mbetet tjetër përpos tu kërkoj falje shqiptarëve, në emrin tim, të patronazhistëve dhe të PS.

E vetmja Spiropali mu kundërvu, por vetëm pasi e largova nga posti i saj, të tjerët heshtën dhe po heshtin akoma.

Tash gjërat më janë sqaruar. Unë e paskam përbuzur Kosovën. Unë i jam kundërvënë Kurtit, pa ditur se çfarë po bëja. Unë e paskam dëmtuar Kosovën dhe pa dije e paskam pas marr anën e Serbisë. Unë paskam vepruar kundër Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve. Protestat mi hapën sytë, se kush paskam qenë.

 Jam i gatshëm ti kërkoi falje Kosovës e Shqipërisë. Jam i gatshëm të marr përgjegjësinë për veprimet e mia. Shqipëria nuk shitet, po kërkojnë protestuesit.

 Unë Shqipërinë nuk do ta shes. Kosovën e kemi shitur sa herë që detyroheshim, po Shqipërinë asnjëherë, vetëm atë që na e grabisnin. As detin nuk do e shes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat