Si nipi i deputetit të PS trafikonte tonelata kokainë/ Grupi kriminal vendoste GPS në kontejnerët me banane nga Amerika e Jugut dhe më pas…

Shqipëria

Si nipi i deputetit të PS trafikonte tonelata kokainë/ Grupi kriminal vendoste GPS në kontejnerët me banane nga Amerika e Jugut dhe më pas…

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 13:42
Foto ilustrim

Mes emrave të 6 shqiptarëve të arrestuar nga operacioni antidrogë i zhvilluar nga Policia shqiptare, gjermane dhe ajo belge, është edhe , nipi i deputetit te PS-së, Rrahman Rraja.

Ramazan Rraja, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar në Belgjikë, u bë i njohur për publikun pas një videoje ku shihej teksa dhunonte një grua. Policia e Shtetit njoftoi dje zyrtarisht për finalizimin e një operacioni ndërkombëtar antidrogë të koduar “ATOS“, ku morën pjesë Policia shqiptare, Policia belge dhe ajo gjermane.

Operacioni u zhvillua prej datës 15 dhjetor deri më datën 21 dhjetor, në Shqipëri dhe Belgjikë. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë ku operacion ka nisur prej vitit 2018 nga strukturat hetimore Antidrogë të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda (në vijim deri në finalizim nga SPAK-u). Gjatë vitit 2018, Antidroga e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Policinë gjermane ka zhvilluar operacionin policor të koduar “Paraguai”, si rezultat i të cilit është sekuestruar rreth 1 ton kokainë dhe janë vënë në pranga 10 shtetas shqiptarë. Më pas, operacioni ka vijuar duke u thelluar hetimet, për të identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë.

ARRESTIMET

Si rezultat i hetimeve të përbashkëta u bë i mundur identifikimi i krerëve të këtij grupi dhe në këtë kuadër, prej datës 15 dhjetor deri në datën 21 dhjetor 2020, u organizua dhe finalizua operacioni i përbashkët antidrogë i koduar “ATOS”, në kuadër të të cilit u kapën në Belgjikë dhe u vunë në pranga, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, shtetasit: Musa Gjikola, 34 vjeç Genti Balliu alias Flamur Balliu, 37 vjeç, banues në Tiranë; Ramazan Rraja, 27 vjeç dhe Fioralb Rraja, 24 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë; Bledar Pepaj, 29 vjeç, banues në Pukë; Fatmir Xheçuka, 33 vjeç, banues në Laç; K. N. (shtetas lituanes) dhe S. C. (shtetas grek); shtetasi F. Gj., për të cilin, pas arrestimit, Gjykata ka vendosur gjykimin në gjendje të lirë. Në kuadër të operacionit “ATOS”, në periudha të ndryshme gjatë vitit 2019 dhe vitit 2020 janë sekuestruar nga Policia belge, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, rreth 232 kilogramë kokainë, një armë zjarri pistoletë, si dhe rreth 200 mijë euro.

GRUPI KRIMINAL

Ky grup kriminal funksiononte duke ngarkuar lëndën narkotike në kontejnerët e bananeve nga Amerika Latine, duke e fshehur lëndën narkotike në arkat e bananeve dhe në trupin e kontejnerëve. Pasi kontejnerët e pajisur nga trafikantët me GPS mbërrinin në destinacion, trafikantët, për të mos u identifikuar dhe zbuluar, organizonin vjedhje me armë të lëndës narkotike nga magazinat ose dhomat e pjekjes së bananeve. Në këtë megaoperacion, për ushtrimin e kontrolleve në banesat e të arrestuarve u përfshinë strukturat hetimore të antidrogës në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Shkodër e Lezhë, nën drejtimin e SPAK-ut. Gjithashtu, një grup specialistësh të Departamentit të Policisë Kriminale kanë zhvilluar në Gjermani dhe në Belgjikë, takime të përbashkëta më homologët, për të koordinuar veprimet që çuan në goditjen e këtij grupi të strukturuar kriminal. Njëkohësisht, nën drejtimin SPAK-ut, për shtetasit shqiptarë të arrestuar gjatë operacionit ka filluar hetimi pasuror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat