Brenda dy ditësh, protesta kundër qeverisë në Tiranë ka marrë dy fytyra. Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga një takim me një grup të rinjsh dhe e paraqiti si dialog me studentë protestues. Studentët që e kanë mbajtur gjallë protestën zgjodhën ndërkohë delegatët e tyre dhe deklaruan se me Ramën nuk ulen në asnjë tryezë.
Takimi i kryeministrit u zhvillua në Pallatin e Brigadave dhe pamjet i publikoi vetë Rama në Facebook. Ai e cilësoi bisedën “dialog inkurajues me studentë që besojnë te protesta, jo te gurët” dhe tha se ishte dakord me një pjesë jo të vogël të shqetësimeve të tyre. Sipas kryeministrit, palët ranë dakord që debati të mos publikohet për momentin, ndërsa ai la të kuptohet se takimet do të vazhdojnë.
Një ditë më pas doli me një deklaratë publike Lëvizja Studentore Kombëtare. Studentët thanë se kanë zgjedhur përfaqësues në çdo fakultet dhe se lëvizjes i janë bashkuar mbi 2 000 të rinj. Organizimi, sipas tyre, nuk ka kryetar dhe nuk synon të shndërrohet në parti politike. Për takimin e Ramës thanë se nuk e dinë kush mori pjesë, sepse atyre nuk u ishte bërë ftesë.
“Nuk marrim pjesë në asnjë dialog me Ramën”, deklaruan përfaqësuesit e lëvizjes. Kërkesat konkrete, sipas tyre, do të bëhen publike ditët në vijim.
Edhe studenti Klevis Tako, i ftuar në News24, tha se në pamjet e kryeministrit nuk njohu asnjë nga studentët që marrin pjesë rregullisht në protesta. Partia Demokratike shkoi më tej. Kryetari i Grupit Rinor Universitar Demokrat, Jurgen Spaho, i quajti të rinjtë e takimit patronazhistë të Partisë Socialiste dhe tha se pa dorëheqjen e kryeministrit nuk ka dialog.
Ndërkohë, të shtunën u mbajt protesta e 175-të. Protestuesit u mblodhën te Ministria e Arsimit dhe marshuan nëpër disa rrugë të Tiranës, ku u dogjën disa kazanë mbeturinash. Tubimi përfundoi pranë Kryeministrisë. Për protestuesit, dorëheqja e kryeministrit mbetet kërkesë e panegociueshme.