Qëlluan me levë dhe hodhën në kanal policin e Krimeve të Rënda, arrestohen pas 9 vitesh autorët dhe zbardhet ngjarja

Shqipëria

Qëlluan me levë dhe hodhën në kanal policin e Krimeve të Rënda, arrestohen pas 9 vitesh autorët dhe zbardhet ngjarja

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 22:42
Policia e shtetit

Prokuroria dhe policia e Laçit, kanë arritur të zbardhin një ngjarje të ndodhur 9 vite më parë në Mamurras, ku një efektiv policie, që shërbente në atë kohë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, u grabit me dhunë dhe plagos me sende të forta.

Ora News mëson se pas 9 viteve hetime, ditën e sotme janë arrestuar në Laç, dy autorët e kësaj ngjarje Elson Bushgjoka dhe Fatjon Bushgjoka.Të dy kushërinj me njëri-tjetrin dhe që besohet se janë identifikuar falë gishtave të gjurmëve të fiksuara në një bidon Coca-Cola.

Arrestimi i dy kushërinjve Bushgjoka, është bërë me vendim gjykate. Sipas dosjes hetimore, ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2011, ku efektivi i policisë Arben Doçi, sapo kishte lënë shërbimin si roje pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe po largohej në banesë.

Gjatë rrugës, ka takuar dy të rinj të cilët e kanë ndaluar me makinë, duke i kërkuar ndihmë për ti çuar deri në banesë. Punonjësi i policisë, Arben Doçi, ka pranuar dhe ka marrë në makinë dy personat që sot janë arrestuar.

Pasi janë afruar në një banesë që ndodhet në zonën e Mamurrasit, Elsoni dhe Fatjoni, e kanë orientuar punonjësin e policisë që të hyjë në një rrugicë, që ndodhej larg syrit të kureshtarëve.

Pasi kanë zbritur nga makina, njëri prej kushërinjve Bushgjoka, i ka pohuar punonjësit të policisë se i kishtë rënë goma e makinës. Ai ka dalë nga mjeti për të parë gomën dhe sapo është përkulur drejt gomës, Fatjon Bushgjoka e ka qëlluar me një levë hekuri disa herë duke e lënë pa ndjenja.

Polici është marrë dhe hedhur në një kanal aty pranë, pasi dy personat kanë menduar se ai kishte vdekur. Ndërkohë nga ana tjetër dy personat e arrestuar, i kanë grabitur sendet personale, armën e shërbimit dhe automjetin.

Pas disa orë qëndrimi në agoni, punonjësi i policisë ka mundur ta marë veten dhe të përmendet duke depozituar më pas kallëzim penal.

Çështja në atë kohë u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por hetimet nuk sollën asnjë rezultat. Veprimet hetimore janë riaktivizuar sërish, ku tashmë pas 9 viteve nga ngjarja, është bërë e mundur identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi i Elson dhe Fatjon Bushkola të dy nga Kamza.

Njëri nga personat e arrestuar ka pranuar autorësinë e krimit, duke treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Pritet që në ditët në vijim dy kushërinjtë Bushgjoka të dalin para Gjykatës së Laçit për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat