Korça dhe Fieri ose një pjesë e Tiranës do të votojnë pa letër më 25 prill, ja kur del rezultati

Shqipëria

Korça dhe Fieri ose një pjesë e Tiranës do të votojnë pa letër më 25 prill, ja kur del rezultati

Më: 8 janar 2021 Në ora: 16:00
Foto Ilustrim

Qytetarët e Korçës dhe ata të Fierit, ose një pjesë e qytetarëve të Qarkut të Tiranës nuk do të votojnë siç kanë votuar tradicionalisht, në zgjedhjet e 25 prillit.

Në këto zgjedhje preferencën e tyre ata nuk do ta hedhin në një kuti fizike si më parë, por do të përzgjedhin përmes një kompjuteri. Fletën e votimit këtë herë do ta zëvendësojë një monitor ku fleta do të jetë virtuale.

Reforma Zgjedhore konsensuale, e cila u miratua verën që shkoi, përpos identifikimit biometrik në 100% të Shqipërisë, sanksionoi që të pilotohet edhe votimi dhe numërimi përmes teknologjisë.

Ditën e djeshme, PDja dhe PS-ja iu përgjigjen thirrjes së KQZ-së për të dhënë sugjerimet e tyre se ku duhet të pilotohet projekti për votimin dhe numërimin elektronik duke pasur parasysh që qarqet ku do zhvillohet projekti të mos jenë më pak se 10% e numrit total të votuesve, por edhe të mos kalojnë 20 për qindëshin e numrit total të votuesve.

Partia Demokratike i propozoi KQZ-së që projekti pilot të aplikohet në Qarkun e Korçës dhe në Qarkun e Fierit. Ndërkohë, pak orë më vonë edhe maxhoranca i ktheu përgjigje KQZ-së.

Në letrën që mbante firmën e përfaqësuesit ligjor të PS-së në KQZ, Eridian Salianji, maxhoranca konfirmonte Qarkun e Korçës, por nuk konfirmonte Fierin, ndaj PS-ja propozoi një pjesë të Qarkut të Tiranës.

Theksohet në një pjesë të Qarkut të Tiranës, pasi nëse aplikohet në të gjithë qarkun, kalohet kuota e 20 për qindëshit. Teksa Qarku i Korçës është i konfirmuar, mbetet që të caktohet nga KQZ-ja pas negociatave se, cili do të jetë qarku tjetër ku qytetarët do të votojnë pa letër.

SI DO VOTOHET

Në zgjedhjet e këtij viti Shqipëria do të aplikojë për herë të parë identifikimin biometrik në 100% të qendrave të votimit. Kjo nënkupton që çdo qytetar para se të shkojë për të votuar duhet të ketë me vete një mjet identifikimi. Pasi paraqitet në qendrën e votimit, qytetari do të kalojë mjetin e identifikimit te pajisja. Kjo e fundit, pasi të procesojë të dhënat para komisionarëve, do të shfaqë një foto të zgjedhësit. Anëtarët e komisionit do të verifikojnë, nëse fotoja e shfaqur në ekran, përputhet me personin që ka kaluar mjetin e identifikimit. Nëse nuk ka probleme, atëherë komisionarët i japin komandë pajisjes që zgjedhësi të firmosë përmes shenjës së gishtit te fleta e votimit. Më pas, pajisja printon fletën e votimit dhe qytetari shkon në dhomën e fshehtë dhe zgjedh subjektin që do të votojë dhe e hedh në kuti fletën e votimit. Ndërkohë, për qarqet ku do të aplikohet projekti pilot për votimin elektronik, komisionari pasi i jep komandë pajisjes së identifikimit që qytetari të firmosë me gisht se ka votuar, i jep komandë edhe pajisjes tjetër që qytetari të votojë. Në ekranin e pajisjes në një dhomë të fshehtë do të shfaqet fleta e votimit dhe zgjedhësi do të prekë koalicionin ose subjektin politik që preferon të votojë. Pasi i jep komandës që të votojë, pajisja mbyllet dhe kërkon sërish aprovimin e komisionarëve për t’u hapur. Ky proces shmang mundësinë që një zgjedhës të votojë më shumë se një herë. Ndërkohë, në përfundim të orarit të votimit, kompania printon raportin. Kjo bën që edhe rezultati të dalë shumë shpejt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat