“Rrethimi” i Kapitolit, flet këshilltari i tre presidentëve të SHBA

Shqipëria

“Rrethimi” i Kapitolit, flet këshilltari i tre presidentëve të SHBA

Më: 8 janar 2021 Në ora: 20:11
David L. Phillips

Kaosi dhe trazirat që ndodhën në Capitol Hill të mërkurën nuk kishin lidhje me demokracinë, përkundrazi, ishin një sulm ndaj demokracisë.

Kështu është shprehur David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Columbia-s, SHBA, në një bisedë me Jonida Shehun.

Phillips, i cili ka qenë edhe këshilltar i ish-presidentëve Clinton, Bush dhe Obama, u shpreh për “Radari Informativ” në ABC se ajo që ndodhi dje në SHBA ishte e pritshme, duke marrë parasysh qëndrimin e mbajtur nga Trump për rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit.

“Po në fakt unë po flisja me njerëz ditën e djeshme dhe po diskutoja për diçka të tillë, pasi Trump thoshte herë pas here se kishte manipulim të zgjedhjeve.”

Po ashtu, sipas David Phillips, fjalët e presidentit Donald Trump ishin ato që e ngritën publikun për të sulmuar Kongresin.

“U mblodh një turmë që iu sul Kongresit. Ishin fjalët e tij nxitëse që ngritën publikun. Sa më shpejt që të largohet Trump, aq më mirë do të jetë për Amerikën. Këto që ndodhën e kanë cënuar imazhin e SHBA-ve që shiheshin si një vend i artë, i lirive dhe demokracive. Këto vite të kaluara, në presidencën e Trump, kanë qenë vite të errëta. Amerika nuk ka pasur nivelin e duhur të demokracisë. Georgia zgjodhi dy përfaqësues demokratë, për vitet e ardhshme do kemi mundësinë të bëjmë korrigjime.”

Ndërsa, i pyetur cila është më shqetësuese protesta apo qëndrimi i Donald Trump, Phillips tha: “Amendamenti jonë i parë garanton të drejtën e fjalës, ajo që ka qenë më shqetësuese, ka qenë përpjekja e vazhdueshme për të ulur nivelin e demokracisë, për të marrë ekstremistë në krahun e tij. Personat që kanë ushtruar dhunë, duhet të burgosen.”

Twitter, Facebook dhe Instagram bllokuan llogaritë e Trump pas trazirave në Kapitol dhe kjo për David L. Phillips është një gjë e mirë, pasi sipas tij, liria e fjalës mund të ushtrohet për sa kohë nuk është e dhunshme.

Sipas tij, ajo e djeshmja nuk ishte protestë politike, por një akt terrorizmi të brendshëm që u organizua nga Trump.

Por çfarë drejtimi do të mbajë administrata Biden sa i përket politikës dhe marrëdhënieve në rajonin tonë ku aktualisht janë disa çështje të “nxehta” si kufiri detar me Greqinë, marrëdhëniet me Turqinë, si dhe dialogu Kosovë-Serbi?

David L. Phillips: “Çështjet e detit duhet të studiohen. SHBA duhet të jetë më aktive në ndërmjetësim. ka një ndryshim të madh mes qasjes së Biden, ai do të jetë i përkushtuar dhe në dialogun Kosovë-Serbi. Kemi nevojë për bashkëpunim mes SHBA dhe BE. Duhet të rregullojmë komunikimin mes këtyre vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë. Duhet të punojmë më fort së bashku.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat