Nënkryetarja e Partisë së Lirisë në Shqipëri, Erisa Xhixho, ka kritikuar gjendjen ekonomike të pensionistëve, duke thënë se pensionet në Shqipëri janë shumë larg standardeve të Bashkimit Evropian.
Përmes një postimi në Facebook, Xhixho ka publikuar disa të dhëna krahasuese për fuqinë blerëse të pensioneve në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria renditet ndër vendet me treguesit më të ulët.
Sipas shifrave të paraqitura nga ajo, pensioni mesatar në Shqipëri ka vetëm 19 për qind të fuqisë blerëse të pensionit mesatar në BE. Në krahasim, Kosova ka 20 për qind, Bosnja dhe Hercegovina 42 për qind, Serbia 44 për qind, Maqedonia e Veriut 52 për qind dhe Mali i Zi 58 për qind.
Xhixho ka theksuar se, me ritmin aktual, Shqipërisë do t’i duheshin më shumë se 100 vjet për të arritur mesataren evropiane të pensioneve.
“Ky është realiteti me të cilin përballen mijëra pensionistë shqiptarë: vite të tëra punë, kontribute dhe sakrifica, por në fund një pension që nuk garanton as standardet minimale të jetesës”, ka shkruar ajo.
Nënkryetarja e Partisë së Lirisë ka kritikuar edhe politikat e Qeverisë shqiptare ndaj pensionistëve, duke thënë se bonuset nuk e zgjidhin problemin e pensioneve të ulëta.
“Qeveria flet për bonuse sa herë afrohen zgjedhjet, ndërsa pensionistët detyrohen t’i mbajnë sytë nga fëmijët e tyre në emigracion për të përballuar jetesën”, ka deklaruar Xhixho.
Në fund, ajo ka kërkuar pensione dinjitoze, duke theksuar se ato nuk duhet të trajtohen si ndihmë apo përfitim elektoral, por si e drejtë e qytetarëve që kanë kontribuar gjatë jetës së tyre.
“Pensioni dinjitoz nuk është lëmoshë dhe as bonus elektoral. Është e drejtë e çdo qytetari që ka punuar dhe kontribuar për këtë vend”, ka përfunduar ajo.